Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në Stacionin policor në Viti është paraqitur qytetari Naip Murseli, rreth 60 vjeçar, nga fshati Beguncë, Komuna Viti, i cili e ka dorëzuar një kuletë me një shumë parash prej 2600 eurosh.
Zëdhënësi Hashani thotë se ky qytetar i ndershëm ka njoftuar policinë se kuletën e kishte gjetur në rrugën e UÇK-së, në Viti dhe pasi e kishte vërejtur këtë shumë të konsiderueshme të parave kesh, menjëherë ishte drejtuar për në stacionin e policisë në Viti.
“Pas kontrollimit dhe evidentimit të parave nga policia është gjetur edhe dokumenti identifikues (letërnjoftimi ) i personit që i takonte kjo kuletë. Policia ka njoftuar personin, pronarin e kuletës të cilit ia kanë kthyer atë, me shumën e parave. Për këtë Policia e Kosovës, Stacioni policor i Vitisë, falënderon qytetarin për ketë ndershmëri dhe përgjegjshmëri sa humane aq edhe fisnike”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.