Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, të enjten ka pritur trajnerin e mirënjohur gjerman Klaus Toppmöller. Vokrri tha se kjo vizitë është e mirëseardhur në prag të ndeshjes që nesër do të zhvillohet ndërmjet yjve të futbollit gjerman dhe yjve të futbollit të Kosovës.
“Ne falënderojmë shtetin gjerman dhe federatën e futbollit të Gjermanisëveçmas presidentin Wolfgang Niersbach, i cili ka premtuar gjithë ndihmën e ti në rrugën e FFK-së drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. Po ashtu me federatën gjermane ne tash kemi vu një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, sidomos në shkollimin e trajnerëve që është një domosdo për futbollin e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të thellojmë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat e mundshme sepse kemi nevojë të madhe”, ka thënë Vokrri.
Ndërkaq, Toppmöller u shpreh tejet i kënaqur me mikpritjen në Kosovë dhe falënderoi Vokrrin për kohën që ka ndarë.
Tutje Toppmöller, ka shprehur habinë që komuniteti ndërkombëtar ende po heziton të pranojë futbollin e Kosovës, duke parë këtë organizim kaq të mirë.
Ai ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë futbollin e Kosovës ku do që ai mund të japë kontributin e tij. Në fund kryetari Vokrri i dhuroi një flamur të FFK-së Toppmöllerit.