Sapo dola nga një koncert për Festen e Flamurit, të shfaqur nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve -Shota. Pa pretenduar të marr të drejtën për të vlerësuar nivelin artistik dhe performancën e këtij ansambli, por nga prizmi i një lexuesi të historisë, letërsisë dhe një pasionuesi të artit në përgjithësi, niveli artistik i koncertit, të një ansambli profesionist i cili paguhet me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shtangë për nga diletantizmi.
Shkruan: Fadil Kajtazi
Së pari, koreografia e cila me tepër i afrohet striptizmit se sa valleve tona popullore; Skënderbeu dhe ushtarët e tij në luftë lakuriq “shok e përpjetë” si thotë populli, nuk pasqyron vlerën, traditën dhe virtytin e popullit tonë.
Edhe pse Gjergji ynë pjesën më të madhe të rinisë së tij e kishte kaluar ne hareme të Anadollit, ai nuk kishte parapëlqyer që jetën e shthurur ta instalonte në principatën e tij.
Se paku deri me sot, asnjë historian nuk flet për jetën e shthurur të kryetrimit tonë. Përkundrazi, ai e instaloi jetën tradicionale të popullit të tij, duke vërë kurorë me një grua shqiptare dhe duke i qëndruar besnik deri në fund të jetës.
Vënia në spikamë e një akti të jetës së tij në koncertin në fjalë, ku ai, i lakuriqur e mbërthen një grua dhe e futë prapa kuintave për t’ia bërë atë punën, duke i lënë në skenë ushtarët dhe gjeneralët e tij, nuk pasqyron atë për të cilën Gjergji ynë është hero kombëtar.
Gjithashtu janë për gjynah valltarët të cilët nga udhëheqësi artistik dhe skenografi (të cilët nuk e di se kush janë), kanë shpenzuar para për blerjen e pajisjeve të rrojës për të rruar trupin që në skenë të dalin që gjeneralët dhe ushtarët e Gjergjit tonë kanë qenë pa lesh. Veshje me porno-striptizëm të figurës se kryetrimit tonë, përkon me përshkrimin e Parajsës si një shtëpi publike nga disa hoxhallarë modern.
Dhe maja e diletantizmit gjatë këtij koncerti është akti i lajmit se “lindi djalë” i cili u be nga një kukuvajkë dhe hidhërimi i “Gjergjit” dhe shokëve të tij se lindi një djalë.
Në traditën shqiptare lajmi për lindjen e djalit është lajm i gëzuar dhe të hidhëruar zakonisht paraqiten hasmit dhe armiqtë. Po ta përkthesh historikisht duket se koreografinë e këtij koncerti duhet ta ketë bërë ndonjë pasardhës i Hamza Kastriotit.
Së dyti, koncerti për Ditën e Flamurit kaloi pa asnjë valle, apo këngë qe i kushtohet kësaj dite të madhe. Si pjesë e organizimeve të koncerteve për Ditën e Flamurit nga viti 1991, me dhimbje konstatoi se koncertet tona ishin më në nivel artistik dhe më dinjitoze.
Dhe se treti, është fyese për auditorin që Ansambli i Këngëve dhe Valleve të del plejbek.
Njëri nga objektivat e armiqve të shqiptarëve është degradimi i vlerave kulturore të kombit tonë, të cilat stërgjyshërit e pashkollë i ruajtën me fanatizëm gjate pushtimeve të egra shekullore, për t’i përdhosur nipërit dhe mbesat e tyre, gjysmë të shkolluar.