Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama mbajti sot një ligjëratë për studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me temë: ,,Transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës’’.
Fillimisht, këtë aktivitet me një fjalë mirëseardhjeje e hapi dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i cili shprehu kënaqësinë që Komandanti i FSK-së, do të flasë para studentëve të të gjitha degëve të Fakultetit Filozofik mbi temën e sigurisë si dhe transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, temë kjo për të cilën studentët e këtij fakulteti kanë nevojë të jenë të informuar ashtu si edhe për fusha tjera të institucioneve të shtetit.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Rrahman Rama para profesorëve dhe studentëve të këtij Fakulteti fillimisht theksoj aspiratën e shtetit të Kosovës për anëtarësim në NATO si dhe kronologjinë e ngritjes së sektorit të sigurisë në funksion të realizimit të qëllimit të Republikës së Kosovës që një ditë të jetë anëtare me të drejta të plota në Aleancën Veri-Atlantike.
Pastaj, Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama foli shkurtimisht edhe mbi historikun e institucionit të sigurisë, që nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës(TMK), pastaj për ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë se edhe personalisht ka qenë në stafin udhëheqës të këtyre institucioneve.
Komandanti i FSK-së i njoftoj studentët mbi misionin, strukturën, pajisjet dhe aktivitetet e Forcës së Sigurisë, pastaj trajnimet, shkollimet stërvitjet si dhe mbi marrëdhëniet bilaterale që Forca e Sigurisë së Kosovë ka me partnerët strategjik dhe vendet anëtare të NATO-s e gjithashtu me marrëdhëniet me ministritë e mbrojtës dhe forcat e armatosura të vendeve fqinje në rajon. Gjenerali tha se FSK-ja është ngritur dhe zhvilluar mbi bazën e standardeve të NATO-s dhe synon të jetë kompatibile dhe e ndërveprueshme me të gjitha ushtritë e vendeve të NATO-s.
Gjithashtu, gjeneral Rama foli edhe mbi procesin tanimë të përfunduar në nivel të shtetit, pra për procesin e Rishikimit të Strategjisë të Sektorit të Sigurisë së Kosovës(RSSSK) si dhe i njoftoj të pranishmit për rekomandimet e dala nga RSSS për Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë, në bazë të të cilave theksoj Komandanti i FSK-së, ministria dhe FSK-ja kanë bërë përgatitjet e duhura për një transformimin sa më të suksesshëm atëherë kur institucionet më të larta të shtetit vendosin që FSK-ja të Transformohet në Forca të Armatosura.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para studentëve paraqiti edhe planin e përgatitur nga Ministria dhe FSK-ja për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së ardhme të Armatosur. Ndër tjera Ai foli për misionin, strukturën, pajisjet, buxhetin si dhe fazat e ngritjes së kapaciteteve operacionale të FAK, gatishmërinë për fillimin e zbatimit të këtij plani në momentin që merret vendimi politik.
Gjeneral Rama u shpreh i përkushtuar për përmbushjen e misionit të FSK-së me sukses dhe fillimin e implementimit të misionit të Forcës së ardhshme, një Force e ngritur në të mirë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe një Force për të mirë në rajon e me gjerë.
Në fund gjeneral Rama u përgjigj në pyetje të shumta që audienca i drejtoj atij, e që kishin të bën kryesisht me rekrutimin, pajisjet si dhe fushëveprimin e FSK-së në përgjithësi.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama në disa raste ka ndarë kohën për tu përgjigjur kërkesave të universiteteve, kolegjeve e institucioneve tjera me qëllim njoftimin e studentëve për fushën e sigurisë në vendin tonë, dhe këtë praktik do ta vazhdoj sa herë që do ti kërkohet në të ardhmen.