Dy muaj nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive nëpër stadiumet e futbollit në Kosovë, shkak koronavirusi.
Gjatë kësaj kohe klubet janë në pushim, derisa futbollistët po stërviten nëpër ambiente shtëpiake, gjë e cila për një nuancë ka ndihmuar që fushat të mos dëmtohen.
Mirëpo, sa është punuar në fusha, a janë mirëmbajtur ato në këtë kohë pandemie apo kanë mbetur në harresë, kryetari i Komisionit të Garave i FFK-së, Abdyl Bellopoja në një intervistë për “Zëri”, ka thënë se gjendja e tyre është e mirë dhe se nisja e kampionatit do t’i gjejë ato në situatë të mirë.
“Në stadiumin Fadil Vokrri dhe në fushën e Flamurtarit fushat janë për mrekulli, kurse fushat në qytetet tjera sa po i shoh në rrjetet sociale duken me qenë në gjendje të mirë për rifillimin e kampionatit”, ka thënë Bellopoja për Zëri.info duke shtuar se kjo kohë deri diku ishte pozitive për fushat.
“Mund të them se kjo pauzë ishte e mirëseardhur për disa fusha të futbollit. Gjithsesi, mund të konfirmojë se ato janë gati për rifillimin e garave”, ka përfunduar Abdyl Bellopoja.
Të kujtojmë se kampionati i Kosovës ë futboll pritet të rikthehet në fund të këtij muaji derisa skuadrat stërvitjet do t’i nisin nga 10 maji, varësisht nga situata që do të jetë me pandeminë Covid-19.