Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e shtatë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Në arenën ndërkombëtare bëhej përpjekje për ta parandaluar luftën në Kosovë dhe çështja e Kosovës të zgjidhej në mënyrë paqësore. Edhe pse ishte arritur marrëveshja ndërmjet Hollbrukut dhe Millosheviqit për ndaljen e operacioneve ushtarake në Kosovë, pushteti serbo-jugosllav vazhdoi të sillte forca të reja ushtarake në Kosovë.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) – (Pjesa e katërt) – (Pjesa e pestë) – (pjesa e gjashtë)
Sipas gazetës javore “Bashkimi”, të datës 19 tetor 1998, theksohej se, më 10 tetor 1998, në fshatin Cernicë u vendos ushtria serbo-jugosllave dhe në objektin e shkollës së fshatit, respektivisht në sallën e Edukatës Fizike, ishte vendosur një arsenal i madh i armëve. Të frikësuar dhe nën trysninë e ushtarëve dhe armëve, po në të njëjtin objekt mësonin edhe fëmijët shqiptarë.
Gjithashtu, sipas raportit të N/KLMDNJ që e botoi gazeta javore “Bashkimi”, konstatohej se ushtria serbo-jugosllave kishte vendosur një pikë strategjike vrojtimi në vendin e quajtur “Zabeli i Vogël” në fshatin Cernicë, nga i cili vend shihej e gjithë Cernica, Gjilani dhe disa fshatra përreth. Aty ishte vendosur një kontroll, i cili mbikëqyrej nga koloneli Saviq me vendbanim në Cernicë, por që shërbente në Vranjë.
Për të bërë presion te shqiptarët, pushteti serbo-jugosllav filloi t’i ftonte shqiptarët në shërbim ushtarak. Kështu, të ftuar për shërbim ushtarak ishin Jetullah Sylejmani, Nexhmedin Beqiri dhe Naim Isufi, të cilët, më 20 nëntor 1998, duhej të lajmëroheshin në organet komunale të mbrojtjes.
Në anën tjetër, ushtria serbo-jugosllave gjithnjë e më shumë vazhdonte e i dhunonte fizikisht shqiptarët. Kështu, më 15 tetor 1998, nga një polic serb ishte rrahur Rexhep Xhaferi, punëtor krahu, i cili jetonte në “Bregun e djegur” në Gjilan. Rexhep Xhaferit derisa ishte afër Xhamisë së Madhe, duke kërkuar punë, i afrohet një polic dhe vetëm për ta rrahur i drejtohet Xhaferit me pyetjen “Pse po më shikon shtrembër?”.
Sipas raportit të N/KLMDNJ që e kishte publikuar gazeta “Bashkimi”, më 14 shtator 1998, Nefail Haziri, kryetar i Bashkimit të Rinisë së Gjilanit dhe kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, me të dalë nga lokalet e redaksisë ishte përcjellë nga dy persona me një veturë Golf 2. Nefail Haziri kishte shpëtuar nga kidnapimi nga kalimtarët e shumtë që gjendeshin rrugës dhe nga veturat e shumta, duke arritur t’i ikte kidnapuesve. Përveç kësaj, në të njëjtën ditë në shtëpinë e tij, në ora 19:00, një telefonatë anonime pyeste se a ishte kthyer Nefaili në shtëpi.
Gjendja në Gjilan dhe rrethinë vazhdonte gjithnjë të përkeqësohej. Më 15 dhjetor 1998, forca të shumta policore serbo-jugosllave, në ora 4 e 30 të mëngjesit, filluan një aksion të madh për bastisjen dhe arrestimin e shumë gjilanasve. Në këtë aksion ishte arrestuar Lutfi Haziri, nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, me vendbanim në Gjilan, Tajar Berisha me vendbanim në Gjilan, Ibrahim Uruqi nga Gjilani, Ismet Hashani, kryetar i aktivit të LDK-së në Verbicë të Kmetovcit, Qani Hidiqi nga Gjilani, Nexhat Bunjaku nga Gjilani, Ruzhdi Sadiku nga Gjilani, Sedat Ymeri nga Gjilani, Burhan Saliu nga Gjilani dhe Ekrem Qerimi nga Gjilani. Përveç Burhan Salihut, Ruzhdi Sadikut dhe Sedat Ymerit, të cilët ishin liruar, të tjerët mbaheshin në arrest. Vazhdon