Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e pestë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Më 9 shtator 1998, në zyrat e policisë serbo-jugosllave për dy orë ishte mbajtur në bisedë informative edhe veprimtari i LDK, njëherësh kryetar i Komisionit për Shëndetësi i LDK-së, Nazim Hajdari, me vendbanim në Llashticë. Inspektorët policorë e pyetën rreth punës së Komisionit, për organizimin e kursit për ndihmën e parë dhe për furnizim me barna e materiale sanitare.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) (Pjesa e katërt)
Gjithashtu, më 9 shtator 1998, nga ora 10 e 30 deri në ora 12, nga policia ishte ndaluar edhe profesori Xhabir Ymeri, veprimtar i BSPGj-së, nga fshati Lladovë. Xhabir Ymeri ishte pyetur nga inspektorët policorë rreth punës së BSPGj-së dhe formimit të Këshillit për Ndihma Emergjente në fshatin Lladovë.
Në anën tjetër, pas shpërthimit të luftës nga viset e ndryshme të Kosovës, shumë refugjatë ishin vendosur në Gjilan dhe kështu, më 9 shtator 1998, të zhvendosurit nga lufta përmes linjave të rregullta të autobusëve ishin nisur për në Gjilan dhe në postbllokun në Llabjan ishin ndalur katër kryefamiljarë. Kryefamiljarët pasi ishin shoqëruar në qendrën e sigurimit serb në Gjilan, ku për 24 orë ishin keqtrajtuar në forma fizikisht dhe psikike. Sigurimi serb i akuzonte se kishin ardhur nga zonat e luftës për të formuar njësitet e UÇK-së në Gjilan.
Në 14 shtator 1998, në ora 8 të mëngjesit, torturës policore nuk i shpëtoi as bujku nga Zhegra, Ekrem Abdullahu i cili ishte arrestuar në shtëpinë e tij me pretekstin se ishte pjesëmarrës i demonstratave të mëhershme gjithëpopullore të mbajtura në Gjilan. Gjatë torturave që i bënin në postëkomandën e policisë në Zhegër, atij i kërkonin armë duke e kërcënuar se ishte pjesëtar i UÇK-së. Ekrem Abdullahun e kishin mbajtur deri ora 15:00, duke e keqtrajtuar dhe duke i shkaktuar lëndime trupore në veshkë dhe në syrin e majtë. Kurse, sipas raportit të N/KLMDNJ-së në Gjilan, më 25 shtator 1998, në biseda informative në SPB në Gjilan ishte ftuar arsimtari Muharrem Bajrami, anëtar i kryesisë së BSPGj-së.
Në anën tjetër, më 27 shtator 1998, një kamion dhe një kompanjollë ushtarake me plot ushtarë serbo-jugosllavë, kishte qëndruar në fshatin Cërnicë. Gjatë kalimit nëpër fshat, për t’i provokuar banorët, ushtarët kishin ngritur armët lart. Ata ishin ndalë në një shitore të fshatit dhe pasi kishin vendosur perimetrin e sigurisë kishin vazhduar të pinë alkool e pije të ndryshme deri në ora 13 e 40 minuta dhe pastaj ishin larguar nga fshati.
Më 28 shtator 1998, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, udhëtarët shqiptarë ishin të detyruar që t’i nënshtroheshin kontrollit të rreptë duke u përcjell edhe me keqtrajtime nga policia serbo-jugosllave në postblloqet që ishin vendosur në Llabjan, Parallovë, Bresalc dhe vendi i quajtur “Hani i Poneshit”, në Ponesh. Kështu, në të njëjtën ditë në postbllokun policor te “Hani i Poneshit”, policia zbriti nga autobusi 10 veta, kryesisht të rinj të ardhur nga zonat e luftës dhe i dërgoi në stacionin policor në Gjilan. Po ashtu, më 29 shtator 1998, në të njëjtin postbllok në Ponesh ishin ndalur nga policia edhe dy studentë nga Presheva. (Vazhdon)