Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e dhjetë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Përveç arrestimeve dhe keqtrajtimeve kryesisht nëpër qytet, ato u zgjeruan edhe në fshatrat e Gjilanit. Kështu, pas Dobërqanit, bastisje, arrestime, burgosje dhe keqtrajtime kishte edhe në Bresalc.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) – (Pjesa e katërt) – (Pjesa e pestë) – (pjesa e gjashtë) – (pjesa e shtatë) – (Pjesa e tetë) – (Pjesa e nëntë)
Sipas gazetës “Bashkimi”, nr. 18, të datës 28 nëntor 1998, e cila i botonte raportet e Nënkëshillit të KLDMNJ-së në Gjilan, theksohej se, më 26 nëntor 1998, ora 6 e 30, 40 policë serbo-jugosllavë në Gjilan, në fshatin Bresalc bastisën shtëpitë dhe arrestuan Venhar Hazirin, profesor i Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan dhe anëtar i kryesisë së nëndegës së LDK-së në Bresalc, Elez Mujin, mësues në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Bresalc, Xhevat Mujin, i papunë, Skënder Hazirin, punëtor në NTP “Gazi Trade”, me vendbanim në Gjilan.
Sipas raportit të N/KLDMNJ-së, të botuar në gazetën Bashkimi, më 28 nëntor 1998, të gjithë të arrestuarit dërgohen në stacionin policor në Gjilan dhe një nga një merren në biseda informative. Inspektorët serbo-jugosllavë, ishin të interesuar të dinin nga të arrestuarit për veprimtarinë e klubeve të sportit në Bresalc, për formimin e “Shtabit të Mbrojtës” dhe kinse para disa viteve një kamion me armatim kishte ardhur në fshatin Bresalc. Gjithashtu, ishin të interesuar për veprimtarinë dhe vendndodhjen e Shemsi Sylës, i cili ishte ish i burgosur politik, veprimtar i BSPGj, e cila ishte shndërruar në Lëvizjen e Bashkuar Demokratike të Gjilanit.
Të arrestuarit e Bresalcit ishin liruar në orën 19:30, kurse inspektori i Sigurimit Shtetëror serbo-jugosllav, Sinisha Paviq kishte ushtruar dhunë ndaj Elez Mujit dhe Xhevat Mujit.
Në anën tjetër, sipas raportit të njëjtë, Gjykata Supreme e Serbisë, Abdullah Tahirit dhe Ahmet Demirit, të cilët ishin arrestuar në muajin gusht të vitit 1998 dhe mbaheshin në burgun e Gjilanit, nën akuzën për “terrorizëm”, ia kishte vazhduar paraburgimin edhe për 3 muaj. Kurse, për Lufti Hazirin, Nexhat Bunjakun, Ismet Hashanin, Ibrahim Uruqin, Ekrem Qerimin dhe Tajar Berishën, të cilët ishin arrestuar më 15 tetor 1998 dhe 20 të tjerëve që ishin në arrati, Gjykata e Qarkut në Gjilan ua kishte caktuar paraburgimin për dy muaj.
Sipas numrit 19/20 të gazetës “Bashkimi”, të datës 14 dhjetor 1998, e cila e botoi raportin e N/KLDMNJ-së për Gjilan, theksohej se, më 30 nëntor 1998, gjatë kthimit nga Presheva, Isa Zeka, bashkëshortja Mirvete Zeka, djali Çlirim Zeka, bashkëshortja e mikut Azemine Abdullahu dhe djali i saj Arbër Abdullahu, në hyrje të Pasjanit kishin hasur në pengesa në rrugë. Në rrugë ishin vendosur trupa drurësh dhe për të kaluar rrugën, Isa Zeka del për t’i tërheq nga rruga. Me të filluar tërheqjen e tyre dëgjohen të shtëna armësh, plumbat e të cilave bien në rrugë 2 apo 3 metra larg tij. Duke u gjendur në rrezik jete për veten dhe familjen, Isa Zeka i kalon disi me vështirësi këto pengesa dhe kthehet pa pasoja fizike për të dhe familjen në shtëpinë e tij.
Sipas raportit për muajin nëntor 1998 të N/KLDMNJ-së në Gjilan, ishin regjistruar 11 raste arrestime arbitrare, 11 ftesa për biseda informative, 5 persona kishin pësuar tortura fizike, 2 pasaporta të konfiskuara, 1 veprimtar humanitar i arrestuar, 3 veprimtarë sportivë të arrestuar. Gjithsej 41 persona ishin keqtrajtuar, kurse 42 personave iu ishin shkelur Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. /vazhdon/