Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje, i udhëhequr nga Zyrtarja për Barazi Gjinore, Lindita Salihu, ka mbajtur takimin e parë për vitin 2021, ku u informua me punën dhe angazhimin njëvjeçar të institucioneve që trajtojnë rastet e dhunës në familje në komunën e Gjilanit, duke e bërë njëherësh edhe krahasimin me vitin 2019.
‘Bashkëpunimi i mirë ndërinstitucional i gjithë akterëve që trajtojnë fenomenin e dhunës në familje e bënë pak më lehtë për të menaxhuar këtë problem, duke ju dalë në mbrojtje viktimave të dhunës në familje, derisa sa i përket rehabilitimit dhe ri-integrimit të tyre, ende mbetet sfidë që kërkon qasje më serioze shtetërore’, ka thënë koordinatorja e Mekanizimit, Lindita Salihu.
Elmina Mahmuti, komandante rajonale e Policisë në Gjilan, theksoi se përkundër pritshmërie tona për rritje të dhunës në familje në kushtet dhe rrethanat e pandemisë, shkaku që ndikojnë shumë faktorë, si mbyllja, kufizimi i lëvizjes, humbja e vendeve të punës, karantinimi dhe masa të tjera, na gëzon fakti se është shënuar një rritje fare e lehtë e raportimit të këtyre rasteve, në krahasim me vitin 2019.
‘Në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm dy raste më shumë, por brengosës është fakti se rastet janë të përsëritura për të satën herë, andaj është i domosdoshëm trajtimi i recidivistëve në mënyrë që të ulet dhuna në familje’, ka thënë Mahmuti.
Psikologia në kuadër të Mekanizmit, Aferdita Kqiku pasi e njoftoi për rastet e dhunës në familje që i ka trajtuar gjatë vitit 2020, ngriti edhe problemin e dukurisë negative të bullizmit në shkolla, një dukuri që kohëve të fundit është e pranishme, andaj sugjeroi që të mbahen ligjërata vetëdijesuese në shkollat e Gjilanit, me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie.
Përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi tha se përkundër vështirësive të paraqitura në kohë pandemie, kanë arritur me sukses t’i menaxhojnë të gjitha lëndët e paraqitura në këtë institucion.
‘Bazuar në numrin e banorëve që ka Gjilani, shtimin e vëllimit të punëve në QPS, nevojitet shtimi edhe i numrit të punëtorëve socialë, ngase kjo i shërben vetë qytetarëve të cilët mund të marrin shërbime profesionale cilësore’, ka thënë Zymberi.
Mbrojtësi i Viktimave, Gani Leci në kuadër të zyrës për ndihmë viktimave informoi shërbimet e ofruara profesionale deri në realizimin e plotë të të drejtave të qytetarëve, në 143 raste të raportuara.
‘Periudha e pandemisë ka qenë mjaft sfiduese, ku është dashur të punojmë me kujdestari 24 orësh dhe rastet e dhunës në familje janë trajtuar me prioritet. Vlen të theksohet se 42 kërkesa që janë drejtuar në gjykatë, si raste të rrezikuara, të gjitha janë aprovuar nga Gjykata, e cila ka dhënë urdhër mbrojtës’, ka thënë Leci.
Përfaqësuesi i Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas, Sadullah Salihu informoi për rastet e referuara, të cilat janë trajtuar nga ky institucion gjatë vitit 2020 dhe ndihmës së ofruar, varësisht prej rasteve.
‘Krahasuar me vitin 2019, në vitin 2020, vetëm një rast më shumë ka kërkuar ndihmë’, ka thënë Salihu.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Strehimores “Liria”, Shyrete Stublla, njoftoi për rastet që kjo qendër i ka trajtuar gjatë vitit 2020, sfidat dhe problemet që i kanë hasur gjatë punës, duke shtuar se gjithsej 66 rasteve, viktima të dhunës në familje nga komunat e regjionit, është ofruar ndihma e nevojshme./2LONLINE.com/