/Me rastin 21 dhjetorit , ditëlindjes së 56 të dëshmorit Tefik Zymberi/
Vargonjtë e robërisë e kishin lidhur Kosovën dhe e shtrëngonin çdo ditë e me shumë duke u munduar t’ia ndalnin frymëmarrjen, ta ngufasnin. Por, këta vargonj të zi filluan t’i këpusin bijtë dhe bijat me të mira me zemrat e tyre të mëdha dhe gjakun e tyre të pastër.
Djemtë dhe vajzat trime të Kosovës me kohë kishin parë se armiku me lutje e fjalë nuk mund të shporret nga Kosova, prandaj ngjeshën radhët, duke punuar ditë e natë pa llogaritur sakrificat, dhe i treguan botës dhe pushtetit kriminal serb se, Kosova nuk mund të mbahet gjithmonë nën prangat e robërisë.
Ne mesin e këtyre bijve dhe bijave bënin pjesë edhe Tefik e Hanumshahe Zymberi, të cilët prej vitesh ishin radhitur në Lëvizjen Gjithëpopullore për Çlirimin e Kosovës. Qysh prej kohësh ata kishin parë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve, dhe shpirti i tyre ishte i mbushur plot mllef e pezëm kundër pushtuesit serb.
Pranvera e vitit 1981 i gjeti student të Fakultetit Filologjik, të cilët pa hezitim ndër të parët iu bashkëngjitën demonstratave të studentëve, demonstrata këto që thyen mitin e Jugosllavisë së “pathyer”. Pas këtyre ngjarjeve të rëndësishme të popullit shqiptar, Tefiku dhe Hanumshahja asnjëherë nuk e ndalën veprimtarinë e tyre patriotike, herë në formë ilegale, gjysëmilegale e herë në formë të hapur, deri në rënien në altarin e lirisë, më 15 prill 1999.
Tefik Zymberi ishte i organizuar në celulat ilegale, ai përveç propagandës që bënte kundër pushtuesit serb, zgjerimit të radhëve, leximit të literaturës, gazetave ilegale, shpërndarjen e tyre, shkrimin e parullave, i kishte dhënë detyrë vetes të shikojë mundësinë e nxjerrjes së një gazete. Dhe me këmbëngulësinë e tij dhe punën e tij duke qenë kryeredaktor, doli gazeta “Vatra”, por për shkak të ndjekjes që i bënte pushteti okupues serb dhe në mungesë të fondeve, kjo gazetë nuk pati jetë të gjatë. Më vonë, kur filloi të dal gazeta “Bashkimi”, Tefiku ishte njëri ndër anëtarët e redaksisë së kësaj gazete.
Si studentë në Prishtinë, e posaçërisht pas vitit 1981 kishte takuar shumë shokë me të cilët mbante kontakte të vazhdueshme. Njëri ndër ta ishte edhe Mejdi Dalloshi, me të cilin kishte miqësi të madhe, dhe kjo shoqëri, sikur ishte si parandjenjë se më vonë do të bien dëshmorë si ushtarë të UÇK-së.
Veprimtarinë atdhetare të Tefikut e shton edhe puna e tij në procesin mësimor. Si mësimdhënës, ishte pedagog i përkryer, i dashur për nxënësit, i afërt me kolegët e punës, prandaj nderohej dhe respektohej nga të gjithë. Qasja e tij ndaj arsimit ishte e shëndoshë, gjithmonë kishte parasysh që mësimet që shpjegonte të vishen me diçka shqiptare, me diçka kombëtare.
Tefiku duke Hanumshahja duke e njohur njëri tjetrin si veprimtarë dhe atdhetarë të devotshëm vendosën që të jenë edhe bashkëshortë dhe më 1993 martohen për të vazhduar veprimtarinë atdhetare dhe organizimin në lëvizjen ilegale edhe më me ngulm.
Pra, veprimtarinë atdhetare që e kishin zhvilluar të ndarë deri më tani, e forcuan më shumë me bashkimin e tyre si bashkëshortë. Tefiku bëri një krah të fortë në rrugën plot me sakrifica, por edhe Hanumshaja gjithashtu gjeti një mbështetje të fuqishme, në rrugën atdhetare të filluar më herët. Ata i bashkoi diçka më shumë se martesa, i bashkoi Atdheu, idealet e njëjta, lufta për çlirim dhe liria.
Përveç tjerash Tefiku ishte i kyçur edhe në shoqatën “Nën Tereza”, ku me mish e me shpirt u mundua të jap kontributin e tij në dobi të popullit të vuajtur dhe të pushtuar, e posaçërisht ishte i angazhuar t’u ndihmojë bashkatdhetarëve të vet, të cilët jetonin në skamje dhe varfëri, ngase pushteti i huaj në Malësinë e Zhegocit nuk kishte investuar në asnjë fushë asnjëherë. Kishte vizituar pothuajse të gjitha familjet e fshatit të tij dhe i qante zemra dhe i dhembte shpirti kur i shihte njerëzit që i kishte kapluar ajo skamje dhe mjerim. Shpesh në mungesë të mjeteve dhe ndihmave tjera që nuk kishte t’ua ndante shoqata, ai u jepte parat e veta, ato që i kishte.
Edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve ishte njëri nga aktivistët e palodhshëm. Me punën, qëndrimin, angazhimin e tij kishte arritur t’i pajtojë familjet e hasmuara në fshatin e tij. Tefiku sakrifikohej gjithmonë, për njeriun, për njerëzit e mirë, përuleshin para tyre, ndërsa për armikun, për tradhtarin, për servilin, për njeriun e shitur ishte i pa kompromis, ia thoshte në sy kur e kishin keq edhe nëse i kishte e i konsideronte shokë. Këto cilësi nuk i kishte ndryshuar kurrë, deri në vdekje.
Edhe në jetë, edhe të organizuar në ilegale, edhe në luftë, aty ku ishte rrezik, ai ishte i pari.
Kishte diçka të Idriz Seferit, Idriz Hajrullahut, Hasan Remnikut, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të atdhetarëve e të luftëtarëve të paepur për liri të Atdheut.
Formimin e UÇK-së e kishte pritur qysh prej kohësh dhe me punën e tij ishte bërë pjesë e saj. Dalja në skenë e UÇK-së e kishte gjetur të përgatitur, por edhe më shumë i kishte dhënë forcë, krah e gjallëri. Kishte sfiduar shkollën, varfërinë dhe ishte vënë me tërë qenien e tij në shërbim të UÇK-së.
Në takime, biseda ai gjithmonë thoshte: “Ne dhe e gjithë Kosova me dekada kemi pritur një organizëm të tillë, prandaj sa më shpejt dhe pa hezitim, të gjithë shqiptarët kudo që jemi duhet t’i bashkangjitemi UÇK-së’’.
Bashkëshortët Tefiku dhe Hanumshahja, që prej daljes së UÇK-së, e posaçërisht pas formimit të Zonës Operative të Karadakut, kishin lidhje të drejtpërdrejta me anëtarët e Shtabit të kësaj zone, njëherit shtëpia e tyre u bë bazë e fortë dhe e sigurt e luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata lanë pasardhësit e tyre, lanë dy fëmijë, Diellën dhe Atdheun, emrat e tyre janë sinonim të lirisë, sinonim të Atdheut. Ata u përngjajnë aq shumë prindërve sa mund të themi se janë ringjallur Tefiku e Hanumshahja. Ata për momentin gjenden në Gjermani ku janë edhe duke u shkolluar, të cilët me aftësitë e tyre të treguara në shkollë, po mahnitin mësuesit gjerman.
Veprimtaria e tij, akti më i lartë sublim rënia në altarin e lirës, është thirrje për të gjithë ne, për organet komunale e shtetërore që t’i kujtojmë gjithmonë dëshmorët me pietet e nderim të lartë, për sakrificën që bënë për Atdheun, për Diellin tonë, për fëmijët tanë që të jetojnë të lirë e të lumtur.
Tefiku intelektual dhe njeri i letrave
Tefiku ishte një intelektual i mirëfilltë i masave të gjëra. Ishte gjuhëtar, letrar, pedagog i mirë, njihte mirë historinë, gjeografinë, merrej nga pak me pikturë e arkeologji, ishte humanist etj. etj. Ai merrej edhe me publicistikë, shkruante tregime, poezi, nga pak edhe pikturonte.
Shkrimet e tij ishin, origjinale, realiste me moral dhe filozofi shqiptare. Edhe shkrimeve për fëmijë u jepte ngjyrime atdhetare – shqiptare. Ai kishte, një energji krijuese të pashtershme të akumuluar brenda, por që nuk kishte mundur ta zbrazte, për shkak të kohës, për shkak të angazhimeve, dhe më kryesorja se ishte modest, e thoshte se: “shkrimet e mia nuk vlejnë në krahasim me të tjerët”, por megjithatë kohë pas kohe shkruante sa për vete, dhe në dorëshkrim kishte lënë një numër të caktuar tregimesh, poezi, reportazhe, letra artistike, dhe shkrime gazetareske të botuar në gazetën “Vatra” e “Bashkimi”. Shkrimet e Tefikut kanë motive të ndryshme si: të kurbetit, plagës së mërgimit varfërisë migjeniane, papunësisë, emancipimit të femrës dhe malësorit, të përkujtimit të datave të rëndësishme historike e kulturore etj., por vend qendror, në shumicën e shkrimeve, zinin dëshmorët e kombit të viteve tetëdhjeta e nëntëdhjeta të shek. XX: Jusf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, R. Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Afrim Abazi, Reshat Ymeri etj. Pra e veçanta e tij kryesore ishte interesimi e kujdesi i madh ndaj dëshmorëve në Kosovë e Shqipëri që si duket ishte një parandjenjë se, edhe ai një ditë do të bie dëshmor.
Tregimet e Tefikut paraqesin një pasqyrë reale të jetës së banorëve që jetonin në fshatin e tij në Verbicë, por ai e dinte se jetë e tillë e vështirë bëhej në gjithë Kosovën.
Ai nuk kishte shkruar nga zyrat, nga sallonet apo si i kishte treguar dikush, ai e kishte prekur, kishte bashkëjetuar, e kishte ndjerë thellë në shpirt varfërinë dhe robërinë e popullit të vet, dhe ashtu ishte edhe vet, prandaj shkruante me aq dhimbje, thjeshtësi dhe përkushtim për malësorët, për njerëzit që rropateshin me jetën dhe pushtuesin etj.
Ai kur shkruan për njerëzit, për probleme, për ndonjë personash, futet thellë brenda tij, dhe aq bukur bënë përshkrimin, sa që kur i lexon këto tregime të duket se edhe ti je aty. Kështu ndodh me tregimin “Ta shkulim me rrënjë të keqen”, “Trëndafilat mbi varrin e asaj pranvere kobzezë”, “Nga ditari i mësuesit”, “Nga ditari im” etj.
P.sh. në tregimin, “Nga ditari i mësuesit” – trajton temën e zhvillimit të mësimit dhe kushtet e vështira në fshatrat e thella malore, kohën kur ishte mësimdhënës në fshat. Edhe pse në shikim të parë të duket se shkruan për gjëra të parëndësishme, ai këtu, me një humor të hollë paraqet realitetin e shkollave në vitet e nëntëdhjeta. P.sh. ai thotë: “Tabelat janë vjetruar dhe mësues Emrushi shpesh qahet se tabela e klasës së tij i ha shumë shkumësat….”. Për stufën që bënë tym në klasë nëpër mes mësuesit Zenel thotë: Shokë arsimtarë, ta sjellim stufën e asaj klase këtu në sallë të arsimtarëve dhe do t’i detyrojmë arsimtarët që të jenë të përpiktë në orar….”.
Shkrimet e mbetura në dorëshkrim sa ishte gjallë nuk kishte mund t’i botojë edhe për shkak se nuk kishte mundësi vetë t’i botojë, vazhdonte të shkruante ende, por edhe angazhimi i tij në të gjitha veprimtaritë atdhetare e së fundi edhe si ushtarë i UÇK-së.
Rënia në altarin e lirisë ia ndërpreu shkrimet që i kishte filluar dhe pasionin e madh për të krijuar, punuar e zhvilluar Kosovën ashtu siç e kishte ëndërruar.
Këto shkrime të lëna në dorëshkrim, pas luftës, përkatësisht në vitin 2002 i përgatiti për botim Ismet Tafili në librin “Dielli nuk vritet”.
Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje!
QOFTË I PËRJETSHËM KUJTIMI PËR TEFIK E HANUMSHAHE ZYMBERI DHE PËR TË GJITHË DËSHMORËTE E KOMBIT!