Në çdo përvjetor, ne përulemi para dëshmorëve të lirisë, të cilët bënë gjithçka që Kosova të gëzojë sot qetësinë e saj. Familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për bijat dhe bijtë e tyre, bashkëluftëtarët duhet ta vazhdojnë amanetin e dëshmorëve, ndërsa qytetarët duhet t’i respektojnë më shumë këto vlera sublime të tyre.
Shkruan: Rashit Sahiti
Gjaku i Abdullah Tahirit dhe dëshmorëve tjerë të kombit, është në themelin e lirisë që sot gëzon vendi ynë, para varreve të të cilëve ne sot përulemi, duke qenë të përkushtuar që të ndërtojmë shtetin tonë, si detyrim të përhershëm ndaj sakrificës së shumë gjeneratave. Abdullahu ishte vënë në shërbim të vendit dhe lirisë së tij qysh si student, kur në vitin 1981 ndezi xixën e pare në mensën e studentëve, për të vazhduar deri te lufta e UÇK-së.
Abdullah Tahiri ishte pishtar i denjë i lirisë dhe përjetësisë! Ai nuk qe rastësisht i trim me një shpirt skuadre, sepse ai vjen nga një taban me lisa të mëdhenj, që edhe kur rrëzohen lëshojnë filiza nga rrënjët e tyre.
Ai u bë shembull i të burgosurit shqiptar, i cili e mundi burgun. Ia kishte lënë vajzës së tij emrin Republika, atëherë kur për këtë fjalë dënoheshe në Kosovë, por dashuria e tij për vendin dhe atdheun nuk e mposhti atë me frikë.
Abdullahu ishte emblemë e fuqishme e mbështetjes së UÇK-së në regjionin e Gjilanit. Trimëria, organizimi dhe ideali i tij ishin një fuqi e madhe jo vetëm për këtë anë, por edhe më gjerë.