DITA BOTËRORE E LIBRIT
Shkruan: Femi Halimi
Më 23 Prill është Dita Botërore e Librit.
Libri ka histori të vetën tok me njerëzit. Ne kemi shkruar edhe viteve tjera për këtë ditë dhe për librin e shtypin, kurse këtë herë të shpupurishim disa çështje tjera me rëndësi për librin dhe gjuhën e shkruar shqip.
Libri ishte për të gjithë njertëzit por njerëzit të gjithë nuk kishin qasje tek libri. Libri ashtu nga fillimet ishte një privilegj i të pasurve dhe mbretërve. Në qasje librit ishin mbreti me një rreth të ngushtë dhe autorët e bashkëpunëtorët e tij. Ashtu qasja ndaj librit ishte shumë e ngushtë dhe e paktë andaj libri edhe nuk luante rolin e tij që e kishte dhe që e ka –përhapjen e diturisë dhe mësimeve. Sikur libri edhe shkrimi ishin pronë e sundimtarëve dhe një mundësi më shumë për shtypje të masave nëvend se për liri!
Libri vonë u bë për masat e për njerëzit të gjithë. Kjo u arrit me fitoren e madhe të demokracisë në botë në kohën e re. Edhe te ne qasje tek libri kishin vetëm të pasurit disa, e në gjuhë të huaja, sepse gjuha shqipe ishte pa alfabet të vetin, e pa sistem mëpsimor, sepse populli ishte në sundim të huaj, që nuk lejonin kurrfarë mësimi e diturie tek shqiptarët. Gjuha shqipe për më keq ishte rrebtësisht e ndaluar nga serbët, grekët, bullgarët, turqët…Për këtë lëvruesit dhe nismëtarët që bënë gjuhln shqipe me alfabet dhe që hodhën në dritë gjuhën dhe shkrimin shqip janë ndriçuesit e kombit dhe shpëtimtarët, e që ishin Rilindësit…
Libri në fillimet e hershme nuk kishte as shtypshkronjë, as redaktor, as lektor, as recensor, -si që rendohen tani këto në hyrje të çdo libri. Libri shkruhej me pendë në fillimet e hershme dhe në objekte të rrafshta të lëmueta, që ishin nga druri, nga balta, mga lëkurët, a edhe nga metalet. Libri në kohë të vjetra në vende të afirmimit të tij quhej rrotull e diturisë dhe e shënimeve me rëndësi.
Kështu e ashtu, andej e këndej historisë është shumë interesant të endemi, e të vizitojmë gjithë të kaluarën njerëzore në gjurmë pas librit, porse në këtë kohë temë mbi temë u bë një diçka që lidhet me librin por që tregon anën e kundërt të duhur për librin e kjo është –rënia e madhe e librit nga rëndësia. Në botë kohët e fundit kështu erdhën e mbisunduan të mirat materiale, prodhimet ushqimore e të kënaqësive, veshjembathjet e gjërat tjera artikuj të përditshëm të konzumit, e mbi të gjitha prodhimet teknologjike të shpikjeve të ndryshme që ndryshuan gjithë njerëzimin për mirë.
Dual me këtë telefoni, radioja, televizori, e në fund interneti dhe kompjuterët e digjitronët mobilë që u masivizuan dhe përfunduan në duarë të të gjithë njerëzimit, prej të vegjëlve që luajnë e mashtrohen me to e deri tek pleqt qindvjeçarë. Tani libri është mu ky –Libri i Internetit, ku edhe janë një mundësi pafund e universale të gjithë librat dhe dituritë, veçse duhet futur mbrenda në internet dhe mundësuar qasjen në to.
Sigurisht se nga gjithë këto shpikje edhe libri ra nga pozicioni e forma që kishte me gjithë univerzalen e tij në çdo aspekt, sepse libër është gjithçka që shërben për të ushtruar a për të kryer, a për të mësuar, varësisht nga disciplina e zanati njerëzor, që prej një abetareje e deri tek një enciklopedi në tome shumë.
Libër është kështu edhe mësimi i një lënde shkencore e diturie masive nëpër shkolla e fakultete, si dhe libri që mbet në mendje të njerëzve –një shtypje e rrëfimeve e tregimeve njerëzore në një gjini të caktuar letrare. UNESKO e Kombet e Bashkuara në ligjet e tyre mbarëbotërore harmonizuese e humane folën e cekën edhe librin, i cili sipas tyre mund të jetë i tillë libër me mbi 49 faqe, e që do të thotë se një faqe më pak një tekst çfarëdoqoftë nuk konsiderohet libër, porse si broshurë, fletushkë, e tjerë.
Në mendje më rri gjithmonë dhe për krahasim e edukim rasti i librit në Kataloni ku femrat gjithë vitin mbledhin libra, blejnë e i ruajnë për një ditë –për Ditën Kombëtare të Librit, që është për ta Dita e Shëngjergjit, ku gjithë ditën femrat dalin në rrugë dhe u japin mashkujve libra –kurse mashkujt femrave lule e çkado tjetër me vlerë sipas mundësisë. Ku të ishte tek ne një këso dite, vetëm një këso dite për tërë vitin, një ditë e kulturës për librin!?…
Këtë shkrim e bëj me ngarkesë dhe mërzi të madhe sepse tek ne raporti me librin ka rënë shumë, sa e ka ndalë gatise krejtësisht librin në qarkullim. Shumçka ndikoi në këtë, që prej fotokopieve e banalizimit të çdo libri me kopjim publik e deri tek autorët e botuesit që bënë libra për vete e për gjëra të kota, kurse libri që është libër i artit e i diturisë mungoi në shtypshkronja këto vitet e fundit. Do të duhej të shkruaja edhe për librin e parë në Kosovë e Shqipëri përgjithësisht, mandej për librin në botë, e tjera gjëra për librin si që kishim shkrime tjera viteve, por nuk kam vullnet as unë më…
Ka një kohë sidomos prej kovidit e këndej që qëndrimi ndaj librit u bë tejet largues sa tanimë nuk ka fare qasje ndaj librit as në lexim e as në shitje. Me këtë libri përfundimisht u shua dhe në vend të tij e me emër të tij u masivizuan librat pasqyra familjare, ku ka vetëm përshkrime familjare e të cilat mund t’i bën secili edhe paq shkollë fare, ose mund ta paguan dikend që din e të shkruan për të. Do të thotë se n[ë libra tani mbisundojnë temat e këtilla të rrethit të mbyllur familjar dhe të fakteve që nuk mund të dihen se a janë edhe të vërtetë fare, sidomo skur janë në pyetje ngjarjet e luftrave e përplasjeve të llojllojshme të brendshme e të jashteme. Në të vërtetë për këtë vend e komb bënë këta të fortit Zoti i ruajttë, -që po na ruajnë, -se përndryshe do të na shuhej fara për një paradite e nuk do të kishte këtu e këndej kurrmë zë shqip mbi dhe!
Librin tutje tani e bëjnë të pasurit, ose njerëz të pozitave të larta në pushtet, të lidhur me drejtori e ministri, ku janë paratë e shumta dhe ku ka mundësi me njoftësi të ndahet një shumë e konsiderueshme e eurove për botime të librave, si me shumicë –si me standard, po edhe si me fitim. Të dytët që përfitojnë e fitojnë nga libri njëmend e që mund të mbajnë shtëpitë me këtë zanat janë pronarët e shtypshkronjave të cilëve u intereson pagesa vetëmse e ku nuk ka as redaktor, as lektor, as këshill artistik si që kishte më parë Rilindja. Të tjerë nuk ka që fitojnë a bëjnë gjë me librat tanimë. Dikush që redakton, autori tani i ofron një mundësi të vetme -disa libra pasi libri të del nga shtypi, të cilat redaktori duhet t’i shes që të nxjerr pagën për vete, e që është tanimë e pamundur.
Të tjerët, të tretët, autorët –botojnë libra me dy e tre qind euro, ndonjë herë edhe pesqind, të cilat ua ndan ndokush nga drejtoritë komunale, a ministri, a ndonjë bëmirës privat, e të cilat këta botuesit e vegjël i ndajnë: për t’i blerë drutë për dimër, për turshitë, për të veshur e mbathur robtë e shtëpisë, e me pjesën e mbetur në fund botohet edhe libri, me 30 deri në 100 copë, e dikush edhe më shumë!
Me një fjalë, pa e zgjatë më rrotull e lëmsh pa bosht, libër njëmend edhe nuk ka më tek ne! Përveç që nuk po ka më libër, për fat edhe më të keq as blerës nuk po ka më. E treta, nuk po ka më as lexues, e edhe nëse ka ndonjë nxënës a student kërkesë nga mentorët për një libër, ata e fotokopjojnë dikund në qytet tek një fotokopjues atë dhe ia dërgojnë mentorit pa e lexuar fare si më spjegoi një student. Mjafton tha ta kam në fotokopje librin që ma kërkon mentori, a disa libra dhe me aq përfundon puna e librit në lëndën mësimore për provim e për kalim më tutje.
Unë vetë, trup e shkurt, jam shpërndarës e shitës i librit, por të them të drejtën edhe unë kam mbetë në vend, se nuk po ka më kurrfarë mënyre për të ushtruar më këtë profesion. Kam edhe Shtëpinë e Librit –shtëpizë barakë në Qendër pran Teatrit, që ma ndan Rotari klubi, Kryetari i Komunës atëherë dhe Komuna e Gjilanit, por ka ardhë një kohë kur libri thjesht po anashkalohet dhe rrallë ka porosi prej dikujtë, e që është pak për të qenë një mundësi e shitjes dhe shpërndarjes së librit. I kam kështu kushtet për këtë zeje por nuk ka më interesim për librin, fare. Që është edhe më rëndë, ka kohë që edhe rrymën elektrike ma kanë ndalë, që e kisha prej komunës me bëmirësi!…
Po në këtë katrahurë ka edhe shkallë përpjetë e teposhtë. Ka kohë që edhe shtypi ditor u ndal dhe për këtë as edhe një sirenë alarmi nuk u bë kund, dhe shtypi ditor humbi sikur të mos kishte qenë këtu te ne kurrë. Mbase ne jemi popull i ekskluziviteteve dhe rrallësive që nuk i ka bota, sikur rasti i Shqipërisë atëherël kur ndaloi krejtësisht –dhe e e sanksionoi rëndë me ligje ndëshkuese, religjionin në vend.
Çka ndodhë te ne nuk ndodhë kund në botë. Këto kur isha i ri lexoja nga të huajtë po edhe nga tanët! Zuvdi Hoxha -Berisha te romani atëherë Viti i Gucisë shkruante për këto bëma popullore tonat që na veçonin nga të tjerët. Po kështu shkruajnë edhe shumë autorë nga bota, për çudirat që ndodhin këtu te ne!…
Jo, shkollimin e gjuhën na e ndaluan turqët atëherë e ashtu, jo serbët, jo grekët, jo bullgarët, jo dreqi me të birin, -edhe kemi besuar dhe e kemi ditur se ashtu edhe ka qenë, -por kush na i ndaloi tani shtypin ditor dhe librin?…Dhe kur e qeli këtë bisedë dikund e në ndonjë rast, me indiferencë thonë të gjithë se për libra nuk ka më nevojë, sepse ka dalë telefoni i dorës! Sëpaku edukatën të mos e harronin njerëzit, se pa këtë një komb, për kohë të gjatë në injorancë, shuhet.
Shpresoj megjithkëto se do të vij një kohë tjetër kur do të kthehen shtypi dhe libri, nëmos ndryshe sëpaku si mumiet që po zbulohen, të faraonëve, që aq e deshtën botën e dritën sa deshtën që edhe pas vdekjes të jetonin, përjetësisht!…
Gëzuar 23 Prilli -Dita Botërore e Librit! /2LONLINE/