Trajneri i Rangersit, Steven Gerrard nuk ka dyshim se sulmuesi shqiptar, Florian Kamberi do të jetë në gjendje të lë gjurmë të mërkurën mbrëma në ndeshjen në Ligën e Evropës në Portugali kundër Bragës.
Kamberi të dielën shënoi një gol dhe asistoi një tjetër, pasi u aktivizua në nismë të pjesës së dytë, duke siguruar barazim 2:2 për Rangersin në udhëtim ndaj St. Johnstonet në elitën e futbollit skocez.
Paraqitja e Kamberit i ka dhënë pak qetësi Gerrardit para ndeshjes së kthimit të 1/16 së finales të Ligës së Evropës kundër Bragas. Rangersi në këtë ndeshje do të jetë pa dy sulmuesit kryesor, Alfredo Morelosin që është i suspenduar dhe Jermain Defoen që ka një lëndim.
Rangersi ka një epërsi 3:2 dhe Kamberi pritet të startojë ndeshjen ndaj Bragës.
“Duke parë paraqitje e të dielës, sigurisht se ai mund të lë gjurmë. Do të jetë ndeshje më ndryshe, ai duhet të jetë më vetjak dhe të bëjë punë të pistë e të vrapojë shumë dhe të sakrifikojë veten herë pas here. Sigurisht se ai do të bëjë këtë. Por, mund të shihni se nëse ai e ka një rast atëherë di si ta dërgojë në rrjetë. Kjo është gjë shumë pozitive për ne. Unë doja të aktivizoja nga fillimi atë në ndeshjen e të dielës, por ishte rrezik që ta aktivizoja gjatë tërë ndeshjes. Doja ta mbaja të freskët për ndeshjen e të mërkurës. Por, kur ngelëm në disavantazh 1:0, ishte koha e aktivizimit. Ai ishte i jashtëzakonshëm. Bazuar në atë përformancë, ai sigurisht se do të luajë. Nuk mund ta injorosh. Ai u zgjodh lojtar i ndeshjes dhe të gjithë kanë folur për të”, ka thënë Gerrard për Evening Express.
Kamberi është i huazuar te Rangersi nga Hiberniani deri në verë, por gjasat janë që Rangersi ta bëjë transferimin e plotë të tij.