Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, beson se zgjedhjet do të mbahen në qershor. Ai thotë se qytetarëve duhet t’u jepet mundësia që të ndryshojnë qeverinë.
Gashi thotë se janë dakorduar që në zgjedhje të shkohet pas shpërndarjes së Kuvendit që mund të ndodhë në javën e fundit të prillit.
Ndërkaq i pyetur se në rast se do të dështojë marrëveshja mes Thaçit dhe Mustafës për kohën e zgjedhjeve, a llogarisin në ndihmën e AAK-së duke marrë parasysh që ata nuk e kanë përkrahur mocionin e saj, Gashi tha se me AAK-në e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit.
Ai tha se në rast se nuk funksionon mënyra që Kuvendi të shpërndahet sipas marrëveshjes, atëherë mund t’u kthehen mocionit të AAK-së. Këto deklarata Gashi i bëri në një intervistë për RTK-në.