Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur në një takim kreun e Odës Ekonomike Amerikane dhe atë të ARDA-s, të cilët e përgëzuan për fillimin e punës dhe rëndësinë që po merr kjo ministri, e cila tashmë ka në fokus edhe investimet strategjike.
Ministri Gashi ka theksuar rëndësinë e kompletimit të kornizës juridike të Ligjit për Investime Strategjike.
“Po presim hartimin e udhëzimeve administrative dhe, sigurisht, po punojmë që barrierave dhe procedurave të stërzgjatura t’u vijë fundi sa më parë, që të nisim një kapitull të ri në raport me investitorët që deri tani iknin nga vendi ynë”,- ka thënë ministri Gashi.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ndërkaq, ka shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton për të ofruar bashkëpunimin e duhur që të krijojë një mjedis atraktiv dhe të sigurt për investitorët në Republikën e Kosovës.