Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt ceremonia e fillimit të vitit akademik 2018/19, për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Ismail Smakiqi, Dekani i FSP-së, z., mësimdhënës të FSP-së etj.
Më këtë rast ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi duke i uruar studentëve suksese në vitin e ri akademik 2018/19, vlerësoi se në Fakultetin e Sigurisë Publike është duke u bërë një punë mjaft profesionale.
“Një ditë, Fakulteti i Sigurisë Publike (FSP), mund të krenohet me shërbimin madhor që i ka bërë dhe po i bënë vendit, duke arsimuar dhe përgatitur kuadro në shumë agjenci dhe shërbime shtetërore të cilët e kanë bërë Kosovën jo vetëm vend të sigurt për qytetarët e saj, por edhe partnerë të besueshëm dhe të çmuar në përpjekjet për forcimin e sigurisë ndërkombëtarë”, u shpreh ministri Gashi.
Ai tha se në Fakultetin e Sigurisë Publike po përgatiten breza, studentë profesionistë dhe të përkushtuar, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shërbimit Korrektues dhe Doganave të Kosovës.
Ministri Gashi në veçanti falënderoi stafin mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë Publike për punën dhe kontributin e tyre të palodhshëm. Ai tha se ky fakultet është një prej shtyllave të suksesit të Kosovës për ofrimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
“Shumë suksese të Kosovës në fushën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare janë të ndërlidhura në mënyrë të pandashme në përpjekjet e tyre dhe mësimdhënësve të këtij fakulteti. Ju të nderuar mësimdhënës keni ditur gjithmonë që t’ju jepni studenteve shembullin, modelin e virtyteve të ndershmërisë dhe drejtësisë njerëzore, që është e domosdoshme për profesionin që lidhen me Fakultetin e Sigurisë Publike”, tha Gashi.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, tha se programi studimor Bachelor i Sigurisë Publike dhe është bazuar në nevojat e institucioneve të sigurisë publike.
“Akademia do të jetë një faktor kyç në krijimin e sigurisë në Republikën e Kosovës duke ofruar kompetenca të nivelit të lartë tek autoritetet e zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur sfidave që ndryshojnë vazhdimisht”, theksoi Smakiqi.
Në fjalën e tij Dekani i Fakultetit së Sigurisë Publike, z. Nexhat Jashari tha se ndihet i nderuar që sot në këtë ditë shumë të veçantë, të ceremonisë së fillimit të vitit akademik 2018/19, fillimit të ligjëratave të studentëve të gjeneratës së pestë në nivelin Bachelor, të ju dëshiroj suksese në punë dhe studime.