Pjesëtarët e Gardës së Ushtrisë Amerikane nga shteti i Ohajos së SHBA-së me në krye atasheun ushtarak pranë ambasadës së SHBA-së në Beograd, BlekBurn Taft, si dhe të Ushtrisë së Serbisë, të enjten kanë qëndruar në Bujanoc.
Gjatë qëndrimit të delegacionit amerikan në këtë qytet të Luginës, është zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Bujanocit Nagip Arifi.
Atasheu ushtarak i SHBA-së në Beograd, Ralf Taft Blekburn, pas takimit me të parin e komunës tha se ndihet i kënaqur për bashkëpunimin që do të ketë në projektin që do të realizohet në këtë komunë.
“Jemi mirënjohës që sot keni nda kohë të bisedojmë për projektin e përbashkët trepalësh në mes të Komunës së Bujanocit, Ushtrisë së Republikës së Serbisë si dhe Gardës kombëtare të shtetit Ohajo”, u shpreh atasheu amerikan Ralf Taft Blekburn.
Delegacioni ushtarak amerikan dhe serb, pas takimit me Nagip Arifin, kanë vizituar dy objektet e çerdhes së fëmijëve “Gëzimi Ynë” dhe shkollën e muzikës në Bujanoc.
Garda e Ushtrisë Amerikane nga shteti i Ohajos, në projektin në fjalë, për renovimin e kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” dhe shkollën e muzikës në Bujanoc, do të investojë 300 mijë euro.
Punimet pritet të fillojnë në muajin gusht dhe kjo do të jetë faza e parë, ndërsa siç ka mësuar portali informativ Titulli.com, në fazën e dytë ai do të vazhdojë edhe me renovimin e katër apo pesë objekteve të shkollave.
Koordinues i punëve do të jetë brigada e katërt e këmbësorisë së Ushtrisë së Serbisë nga Vranja, me gjeneral brigade Zoran Llubura.