Seanca e Parlamenti të Kosovës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti do të mbahet nesër në orën 11:00, e Gani Neziri, anëtar i Këshillit Drejtues në Qendër, i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka një kërkesë për shefin e tij, liderin e PDK-së, Kadri Veselin, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai kërkon nga i pari i partisë, që deputetët e PDK-së, në seancën e nesërme të abstenojnë nga votimi.
“Si njëri nga veteranët e PDK-së, dega në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Drejtues në Qendër, i bëj kërkesë politike, publike e shoqërore, Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli që në rastin e “mocionit” ndaj Qeverisë, që mund të (mos) ndodhë nesër, partia jonë PDK të mbaj qëndrim neutral, që do të thotë të abstenojë në votim”, ka thënë Neziri për 2lONLINE.com.
Sipas tij, ky do të ishte qëndrimi më parimor i PDK-së përballë problemeve që ka krijuar koalicioni më joparimor që nga fillimi i politikës plurale në Kosovën e lirë.
“Meqenëse nuk ishte PDK-ja ajo që ndërmjetësojë krijimin e këtij koalicion të brishtë, (kurorë nga inati për të tjerët), i cili, që nga dita e parë e krijimit linte përshtypjen se do të prishet nga dita në ditë, ende pa filluar së funksionuar si duhet, meqenëse nuk ishim ndërmjetësues të krijimit (të këti koalicioni zavrakësh), kujtoj se veprimi ynë politik më parimor e më i mirë është që të mos “përzihemi”” thotë tutje Neziri i PDK-së.
Sipas tij, e gjithë bota politike sot merret veçse me problemin e koronavirusit, andaj cila mund të jetë arsyeja e shëndosh që politika e Kosovës të shtojë edhe një problem më shumë?!
“Pra, kërkesa ime është që PDK të abstenojë në votim, ose, ndoshta edhe do të ishte mirë që deputetët e PDK-së të jenë të lirë në vendimin e tyre votues që do të kuptohet si sharmi më i mirë politik i demokracisë së brendshme partiake, të PDK-së”, thotë në fund, Gani Neziri nga PDK-ja e Gjilanit.