Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka qëndruar sot në Gjilan për t’u njoftuar dhe për ta marrë modelin e Komunës së Gjilanit sa i përket programit të çasjes me më shumë mësimdhënës, bëjnë të ditur drejtuesit e DKA-së në Gjilan.
Drejtori i DKA’së në Gjilan, Nazim Gagica, theksoi se ndihet mirë që ky program po merret model edhe nga komunat tjera, përkatësisht nga kryeqendra.
“Drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës është sot në Gjilan për të parë modelin e realizimit të programit të çasjes me më shumë mësimdhënës. Jam i kënaqur që ky projekt po fillon të zgjerohet edhe në komunat tjera dhe ky është hapi më pozitiv për t’i dhënë hapësirë në nivel Republike. Shpresoj që ky projekt do të zbatohet në nivel vendi”, tha Gagica.
Ndërkaq, drejtoria e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala, e ka falënderuar drejtorin Gagica që ia ka mundësuar për ta parë nga afër realizimin e projektit të suksesshëm.
“Faleminderit që na keni pranuar për ta parë nga afër realizimin e këtij projekti për t’u njohur me rezultatet të cilat janë arritur pas analizës që keni bërë në bashkëpunim me Universitetin dhe organizatën GIZ. Ideja ka qenë që të takohemi edhe me mësimdhënësit tuaj dhe të njihemi për së afërmi me sfidat, mënyrë e realizimit të orëve, planifikimit dhe për implementimin nga ana e drejtorëve. Ne do të fillojmë ta implementojmë këtë program në katër shkolla, përkatësisht me nxënësit e klasës së tretë” , ka deklaruar Shala.