Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, Nazim Gagica me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Grupin Parlamentar të këtij subjekti politik për të ngritur shqetësimin e tyre për gjendjen e rënduar të rrugëve magjistrale në këtë Komunë.
Gagica me bashkëpunëtorë është pritur nga Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri nga i cili kanë kërkuar të thirret në interpelancë për këtë temë ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Duke e parë gjendjen e rënduar në rrugët magjistrale në Komunën e Gjilanit, bashkë me kolegët e mi nga AAK-ja, Ahmet Isufi dhe Riza Abdylin, vizituam sot Grupin Parlamentar të AAK-së ku u mirëpritëm dhe diskutuam me Shefin e deputetëve, Besnik Tahiri. Kërkesa jonë për GP të AAK-së është që me urgjencë të adresohen pyetje parlamentare si dhe një interpelancë për qeverinë e Kosovës, respektivisht ministrin e Infrastrukturës lidhur me neglizhencën totale që është duke iu bërë Komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të Anamoravës përgjithësisht”, ka thënë Gagica pas takimit.
Gagica ka shtuar se kjo situatë është e papranueshme dhe se Gjilani nuk trajtohet nga pushteti qendror as në minimum.
“Është e papranueshme që për dy vite e gjysmë të mos ketë asnjë veprim dhe që Gjilani të mos trajtohet as në minimum në aspektin infrastrukturor e për më keq duke e ditur që Gjilanin e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka edhe pushtetin qendror dhe e cila ka ardhur në pushtet duke promovuar e proklamuar rregullimin e infrastrukturës në këtë komunë”, është shprehur Gagica.
Ai ka shtuar se investimet e vetme që kanë ndodh në Gjilan, janë në kohën e kryeministrit Haradinaj.
“Shihet qartë që vetëm në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Haradinaj ka pasur veprime konkrete, tani duhet që kjo temë të trajtohet në Kuvendin e Kosovës pasiqë situata në terren nuk mund të tolerohet më tutje sepse sezoni i pushimeve të bashkëatdhetarëve po afrohet dhe ata meritojnë pushime të dinjitetshme e qarkullim pa pengesa e jo sikur dy herave të kaluara”.
“Falënderova shefin e GP, Besnik Tahirin dhe deputetët tjerë të AAK-së të cilët gjithmonë kanë shpërfaqur interesim për Gjilanin dhe përgjithësisht Anamoravën. Mbesim me shpresë se pasi të ngritet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës, do të ketë lëvizje poizitive, anipse punimet në terrer janë shumë larg përfundimit dhe bazuar në këtë dinamikë të punës, vështirë se do të përfundojnë deri në fund të vitit, fatkeqësisht!”, ka përfunduar Gagica. /2LONLINE/