Qëndrimi në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga nënkryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Arbëreshë Kryeziu
Të shtunën e javës që lamë pas, përfundoi takimi disa ditor i G7, ku ministrat e punëve të jashtme të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Përfaqësuesit të lartë të BE-së paraqitën qëndrimet e tyre të përbashkëta për Ukrainën dhe disa rajone të tjera në të gjithë botën.
Në këtë takim, ku u diskutua për të ardhmen evropiane, u tha se paqja dhe stabiliteti në Evropë vazhdojnë të mbesin të kërcënuara nga Rusia, prej kur kjo e fundit i shpalli luftë shtetit të Ukrainës dhe sot e tre muaj pas, po vazhdon të kryej gjenocid mbi popullin e saj të pafajshëm.
Me të nisur agresioni rus ndaj Ukrainës, SHBA dhe shtetet e BE-së kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe të njejtën gjë kanë kërkuar ta bëjnë edhe shtetet e tjera.
Republika e Kosovës është ndër shtetet e para të Ballkanit Perëndimor, e cila u rreshtua karshi qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Një ditë pas shpalljes së luftës nga Rusia në Ukrainë, Qeveria e Kosovës duke qenë e rreshtuar me botën demokratike, i vendosi sanksione ekonomike dhe financiare Federatës Ruse, e cila pos që nisi një luftë ndaj Ukrainës, kësaj të fundit i cënoi rënd sovranitetin dhe integritetin territorial duke sulmuar paqen, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.
Të njëjtin qëndrim e kanë mbajtur edhe disa shtete tjera të Ballkanit Perëndimor, qëndrime këto që u mirëpritën nga BE dhe u përshëndetën nga përfaqësuesit e G7, të cilët thanë se përgëzojnë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe së fundi edhe Bosnjen për përafrimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe zbatimin e tyre.
Por, të njejtën gjë nuk e ka bërë Serbia.
Ky shtet vazhdon të mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ndjekur shembullin e SHBA-së dhe BE-së. Për qëndrimin e njëanshëm të Serbisë pro Rusisë, u diskutua në takimin e G7 që u mbajt në Gjermani. Ndaj saj u hodhën kritika dhe akuza për mbajtjen anë të një shteti agresor që po kryen gjenocid mbi një popull dhe po rrezikon seriozisht sigurinë në Evropë dhe jo vetëm.
Me këtë qëndrim pro rus, Serbia, shteti që para dy dekadash kreu gjenocid mbi popullin shqiptar, tregoi edhe një herë fytyrën e saj të vërtetë. Po pretendon të luaj rolin e viktimës, pa dhënë kurrë llogari për dhjetëra mijëra viktima shqiptarë që u vranë e u masakruan në luftën e fundit në Kosovë. Si dhe për qindar e mijëra viktima që ia shkaktoi Ballkanit si pasojë e gjenocidit, krimeve të luftës, sulmeve dhe dëmeve të bëra përgjatë viteve të 90-ta.
G7 i bëri thirrje shteteve të rajonit që të avancojnë reformat e brendshme, në vecanti ato të sundimit të ligjit, të përmirësojnë mjedisin për shoqërinë civile dhe mediat e pavarura, të vazhdojnë përpjekjet në parandalimin e dhunës, të mbështesin pajtueshmërinë dhe të luftojnë dezinformatat mbi gjenocidin dhe glorifikimin e krimeve të luftës dhe dënimin e kriminelëve të saj.
Ministrat e G7 po ashtu thanë se mbështesin bashkëpunimin rajonal dhe tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, veçmas të tregut të përbashkët rajonal dhe të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor në kuadër të kornizës së Procesit të Berlinit.
Republika e Kosovës, po tregon përkushtim të vazhdueshëm në avancimin e këtyre reformave dhe këtij bashkëpunimi në mënyrë që përafrimi me shtëpinë e madhe evropiane, të jetë më i sigurtë se asnjëherë më parë.
Asnjëherë si tani dhe asnjëherë më parë në këto 10 vitet e fundit nuk ka qenë më e qartë situata në ballkan. As vendet e G7 nuk kanë qenë ndonjëherë më të qartë dhe më të prerë se këtë herë në raport me Serbinë dhe Republikën serbe në Bosnjë, ku kanë bërë thirrje për reflektim në mënyrë që të ndalohen konfliktet e mundshme në Ballkan.