Astrit Haraqija, në këtë intervistë për “Epokën e re”, ka folur për zhvillimet në LDK, humbjen e zgjedhjeve nga kjo parti dhe për angazhimin e tij më aktiv në LDK. Ai ka thënë se lista “Dr. Ibrahim Rugova” nuk ekziston më. Haraqija ka treguar se do t’i hyjë garës për t’u bërë pjesë e udhëheqjes së LDK-së në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen në shtator. Nuk e përjashton mundësinë që pas katër vjetësh të jetë lideri i LDK-së.
Astrit Haraqija ka thënë se Isa Mustafa deri në zgjedhjet e partisë është vetëm kryetar në detyrë i LDK-së, ashtu siç është sot Hashim Thaçi kryeministër në detyrë. Ai ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së duhet të mblidhet urgjentisht dhe ta analizojë humbjen e zgjedhjeve. “Z. Mustafa e vlerësoj si person, por për çështje politike dhe të liderizmit është shumë larg”, ka thënë Haraqija.
Ai ka thënë se Eqrem Kryeziun, Sabri Hamitin, Skënder Hysenin dhe “x” njerëz të tjerë i ka sabotuar struktura e LDK-së. “Një gjë duhet ta dinë, se fryma rugoviane nuk është për të hequr koka, fryma rugoviane është për të bashkuar njerëz”, ka thënë Haraqija, duke shtuar se është i brengosur pse Fatmir Sejdiu nuk po reagon mbi zhvillimet në LDK.
Haraqija ka folur edhe për paraburgimin e Ukë Rugovës. “Unë pres të lirohet Uka, për arsye se u pa se është krejt proces politik dhe për matematika politike që dikujt i është dashur”, ka thënë ai. Haraqija ka thënë se Ukë Rugova është në LDK, e për Bujar Bukoshin ka thënë se duhet pyetur Isa Mustafën.