Është mbajtur sot takimi i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane në të cilin mori pjesë edhe komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle i cili tha se pret zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Ai gjithashtu ka vlerësuar si të suksesshëm përmbylljen e negociatave për MSA.
Ndërkaq duke përshëndetur përmbylljen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të Komisionit Evropian dhe Kosovës, kryeparlamentari i vendit Jakup Krasniqi, bëri një rezyme të punës së Kuvendit në kuadër të angazhimeve për agjendën evropiane për Kosovën, përkatësisht përmbushjen e kërkesave të dala nga Raporti i Progresit, transmeton RTK.
Kryetari Krasniqi bëri të ditur se Kuvendi ka miratuar një numër dokumentesh strategjike për të përkrahur zbatimin e synimeve dhe objektivave politike drejt integrimeve evropiane, si dhe ligje të dala nga rekomandimet e Raportit të Progresit.
Në vazhdim, kreu i Kuvendit evidentoi ligjet me prioritet, të miratuara nga legjislativi i vendit, që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe përmbushjen e kritereve që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave.
Kryetari Krasniqi foli edhe për ngecjen e reformës zgjedhore dhe potencoi ligjet të cilat ende gjenden në fazën e shqyrtimit në komisionet përkatëse.