“Doktor i Shkencave të Kulturës Fizike dhe Sportit” është grada shkencore që ka fituar Rabit Veseli nga fshati Lluçan i komunës së Bujanocit i cili ka një përvojë 25 vjeçare në në cilësinë e profesorit të kulturës fizike.
Veseli në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka mbrojtur me sukses temën e Doktoratës “Ndikimi i karakteristikave antropometrike, aftësive motorike dhe funksionale në suksesshmërinë e ekzekutimit të disa testeve motorike specifike te futbollistët 16-18 vjeç”.
Tema ka shtjelluar se ku gjenden të rinjtë (futbollistët) e rajonit të Luginës së Preshevës në raport me moshatarët e tyre më gjerë.
“Pas një pune maratonike rezultatet u përmblodhën dhe në mënyrë shkencore statistikore u shënuan edhe rezultatet ishin shumë të mira sepse të gjitha parametrat e marra rezultonin se edhe këta të rinj të Luginës nuk dallojnë aspak nga moshatarët e trevave (vendeve) tjera në bazë të hulumtimeve që kamë parë në punimet e publikuara nëpër revista shkencore”, ka thënë mes tjerash Veseli për Titulli.com.
Ai gjatë bisedës për Titulli.com është shprehur se tani ai obligohet që edhe më tej të merret me problematikën e të rinjve dhe zhvillimit të sporteve të ndryshme në këtë rajon.
“Të organizojmë seminare ku do të shqyrtojmë kyçjen më të madhe të të rinjve në aktivitete të ndryshme rekreativo – sportive me qilim të largimit nga veset e këqija”, theksoi Veseli.
Ndërsa në pyetjen se sa po i jepet rëndësi kësaj lënde nëpër shkollat shqipe në komunën e Bujanocit, Doc.sci. Rabit Veseli deklaroi se nuk po i jepet rëndësi kësaj lënde nga ana e institucioneve duke menduar se kjo lëndë është aty sa për të luajtur fëmijët futboll gjatë kësaj lënde mësimore.
“Kuadrot mendoj se janë profesionalisht të ngritura për këtë lëmi por edukata fizike është lëndë ku praktika është në vend të parë e pa mjete konkrete jemi të gjithë të kufizuar që të kontribuojmë më shumë”,ka shtuar Veseli.
Sipas tij shkollat në komunën e Bujanocit nuk kanë salla me standarde për zhvillimin e lëndës së edukatës dhe kulturës fizike.
Biografia:
Ka përfunduar më 1991 Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës. Fillimisht ka punuar nga viti 1990 në shkollën fillore ,,Sami Frashëri,, në Lluçan – në paralelen e ndarë në Nasalcë për 9 vite, pastaj një vit në Konçul. Në vitin 1999/2000 ka punuar në shkollën e mesme ,,Hasan Tahsini’’ në Kastriot në Kosovë. Nga viti 2004-2013 ka qenë drejtor në shkollën ,,Sami Frashëri,, në Lluçan. Në vitin 2008 me sukses ka mbrojtur temën e magjistraturës në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë dhe mori gradën Magjistër i Kulturës Fizike dhe Sportit. Për disa vite ishte aktiv në klubin e futbollit të vogël ,,AS’’ në Bujanocit dhe tani punon si profesorë i lëndës të kulturës fizike në shkollën fillore “Sami Frashëri” në Lluçan. Më 14.11.2016 në Universitetin Shtetëror të Tetovës mbrojta me sukses temën e Doktoratës dhe mora gradën “Doktor i shkencave të Kulturës Fizike dhe Sportit”