Federata e Futbollit e Kosovës kishte vendosur që nga nëntori i vitit të kaluar të luhet me një top zyrtar në garat e futbollit të Superligës dhe Ligës së Parë.
Por, kjo nuk po ndodh këtë edicion, pasi në ndeshjet e deritanishme të kampionatit të ri, klubet kanë zhvilluar takime me topa krejtësisht të ndryshëm.
Kjo pasi që FFK ende nuk e ka bërë shpërndarjen e topave të ri “Adidas Telstar” me të cilët klubet kishin luajtur edicionin e kaluar dhe kampionati elitar sërish u shndërrua në një larami me topa “eksperimental”.
Madje, në disa ndeshje edhe është ndërruar topi i lojës dy apo tri herë.
Në mungesë të topit zyrtar të kampionatit, klubet e Superligës janë detyruar të bëjnë zgjidhje në magazinat e tyre me topat që kishin në dispozicion.