Jo përherë fushatat politike ndajnë pozitë e opozitë, ato subjekte që janë nëpër tabore të ndryshme, rivalë mes tyre. Ato dinë të bëhen edhe bashkë siç u bënë sot në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit ku bashkarish reduktuan rendin e ditës për të shtyrë pas zgjedhjeve disa çështje që edhe ashtu janë prolonguar disa herë deri më tani.
Në seancën e sotme në rend pune ishin me plan edhe dy rekomandime të Komitetit për Politikë dhe Financa:
1. Raporti i punës për vitin 2016 i Eco-Higjiena SH.P.K Gjilan
2. Raporti i Komisionit komunal për zgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane
Këto pika u shtynë pas marrëveshjeve që kishin arrit shefat e grupeve të subjekteve politike pjesë e Kuvendit dhe u votua me vetëm një votë kundër.
Më pas kuvendi miratoi edhe rishikimin e buxhetit 2017, edhe atë shumë shpejtë, express, pa diskutime, duke bërë që kjo seancë të jetë ndër seancat më të shkurtra të KK-së së Gjilanit, në këtë përbërje.