Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së Nazmi Hajredini ka marrë ftesën për paraqitje pran Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë me rastin e organizimit të tubimit komemorativ në shënimin e dyvjetorit të largimit të lapidarit të dëshmorëve të kombit.
Në bazë të reagimit të lëshuar nga OVL në Preshevë, të cilën e përcjell portali informativ Titulli.com, kryetari i kësaj organizate duhet të paraqitet sot (e enjte) në gjykatë.
“Nazmi Hajredini duhet të paraqitet para kësaj gjykate për shkak se më datën 20.01.2015 në ora 10h, në prani të njëzet qytetarëve ka organizuar tubim komemorativ me rastin e largimit të lapidarit të dëshmorëve të kombit nga platoja para Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës. Në këtë ftesë për të pandehurin përmendet se organizatën që e drejton i pandehuri është informale dhe e paregjistruar”, shkruan reagimi i vulosur dhe nënshkruar nga kryetari Nazmi Hajredini.
OVL matej sqaron se përkujtimi nuk ka pasur karakter të tubimit masovik , por një përkujtim me anëtarët dhe kryesin e shoqatës, prej dhjetë personave.
“Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë tubim por vetëm shënim i kësaj date nga kryesia dhe anëtarësia jonë. Përndryshe, ne vazhdojmë të kërkojmë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme lidhur me çështjen e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit të UÇPMB-së të larguar dhunshëm nga forcat e xhandarmërisë serbe”, thekson OVL.
Kjo organizatë njëherit kërkon angazhim më të madh të atyre që ia ngarkuan këtë barrë popullit duke e publikuar publikisht vendosjen e lapidarit.
“Ata që kishin lapidarin promovim fushate paraelektorale derdhin lot krokodili sa herë që duhet ajo, kanë harruar lapidarin sikur të mos ketë ekzistuar fare. Ne si organizatë e OVL së UÇPMB-së njoftojmë opinionin se këto veprime janë të drejtuara kundër aktiviteteve të organizatës të parapara me programin dhe statutin e saj”, shkruan reagimi.
Gjithashtu OVL thekson se ky aktivitet nuk ka karakter armiqësorë e të dhunshëm ndaj askujt.
“Ky aktivitet me karakter kombëtar është një e drejt e jona që i takon historisë tonë të lavdishme kombëtare, histori të cilën do ta kujtojnë gjithmonë edhe gjeneratat tjera në të ardhmen”, thuhet në fund të reagimit të OVL-së së UÇPMB-së.
Vlen theksuar se kryetari i kësaj organizate Nazmi Hajredini edhe gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar kishte marrë një ftesë nga policia e Serbisë që të paraqitej në bisedë informative.
Biseda e nëntorit kishte si qëllim grumbullimin e informacioneve që siç thuhet “për shkak të veprës penale nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare si dhe intolerancë sipas nenin 317/1 të Ligjit Penal të Republikës së Serbisë”.