Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të shefit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, gjeneral Mirko Shundov, po merr pjesë në ditën e vizitorëve të ushtrimit fushor ndërkombëtar të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë (USAREUR), “Immediate Response 19” në Poligonin Ushtarak të Stërvitjes në Slunj të Kroacisë si dhe do të marrë pjesë edhe në shënimin e 10- vjetorit të anëtarësimit të Kroacisë në NATO.
Gjeneral Rama në këtë aktivitet pati mundësi të shoh nga afër angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e përfaqësuar në ushtrim nga pjesëtarë të Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) dhe Ekipeve për Eliminimin e Mjeteve Eksplozive të Pashpërthyera (EOD), të cilët krahas shteteve partnere dhe atyre të NATO-së treguan përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në kryerjen e misioneve bazuar në skenarët e ushtrimit.
Ky ushtrim mes tjerash, promovon stabilitetin dhe sigurinë në rajon por edhe forcon bashkëpunimin dhe rrit besimin në mes të partnerëve.
Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim kontribuon në avancimin e kapaciteteve të Forcës si në aspektin e organizimit, përgatitjes dhe të zbarkimit të njësiteve jashtë vendit, por edhe të operimit në mjedis shumëkombësh duke qenë të ndërveprueshëm në të gjitha aspektet e operimit.
Në këtë ushtrim po marrin pjese rreth 1600 ushtarakë nga 15 shtete, të cilët po zhvillojnë operacione stërvitore në disa lokacione duke filluar nga Kroacia, Sllovenia dhe Hungaria. Ushtrimi do të realizohet prej datës 20 maj deri më datë 8 qershor 2019.
Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrës në këtë stërvitje ka shfaqur profesionalizëm dhe motivim të nivelit të lartë duke përfaqësuar denjësisht FSK-n gjatë tërë stërvitjes, si dhe duke qenë të barabartë me ushtritë partnere dhe ato te vendeve të NATO-s.