Ceremonia e betimit të rekrutëve të 180 rinj u mbajt sot në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj.
Prezent në këtë ceremoni ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.
Me këtë rast, Presidentja Osmani u shpreh se, si komandante supreme e FSK-së është krenare që po e sheh çdo ditë përparimin e FSK-së.
“Këta 180 rekrutë janë ushtarë të Republikës së Kosovës, shtetit të pavarur, sovran e me territor të pacenueshëm. E ardhmja garantohet duke ndërtuar këta, prandaj sot po zgjerohet baza e forcave tona të armatosura. Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit”, tha Presidentja Osmani gjatë kësaj ceremonie.
Gjithashtu, ajo u shpreh e kënaqur me prezencën e vajzave dhe grave në mesin e rekrutëve të rinj.
“Jam krenare që në mesin e rekrutëve shoh 12 gra. Hapja e FSK-së ndaj vajzave dhe grave nuk është nevojë por edhe domosdoshmëri”, theksoi më tej ajo.
Në fjalën e tij të rastit, Kryeministri Albin Kurti, iu drejtua rekrutëve të rinj duke u thënë se: “Duke qenë pjesë e FSK-së, përveç privilegjit, tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend. Ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj përkrah aleatëve, ushtarëve të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale”.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se qeveria e udhëhequr nga ai është e përkushtuar për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në fjalën e saj, komandantja e KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu theksoi se kjo gjeneratë e rekrutëve është një nga gjeneratat me rezultatet më të mira që ka pasur KDS dhe se ka vendosur një standard të ri të performanës.
Certifikimi i 180 ushtarëve të rinj është në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së. /2LONLINE.com/