Në organizim të Qendrës Koordinuese për Deminim të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, më 4 prill 2019,u shënua Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Minave.
Në shënimin e kësaj dite morën pjesë: zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Agim Çeku, kolonel Shaip Haziri komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, Ahmet Sallova, shef i Qendrës Koordinuese për Deminim në Ministrinë e Mbrojtjes, stafi i lartë i Ministrisë dhe FSK-së, përfaqësues të ambasadave të; SHBA-së, Norvegjisë, Zvicrës, Austrisë, Holandës dhe të organizatave; HALO Trust, NPA, MAT Kosova dhe KFOR-it.
Zëvendësministri Agim Çeku, në emër të ministrit Berisha dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, përshëndeti pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje dhe falënderoi të gjithë ata që mbështetën dhe kontribuuan në pastrimin e Kosovës nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera. Zëvendësministri Çeku gjithashtu foli për rëndësinë e çminimit të mjeteve të pashpërthyera, si dhe për planin e pastrimit të Kosovës nga minat deri në vitin 2024. Zoti Çeku, më tej, tha se, ky projekt është shumë konkret dhe shumë i rëndësishëm dhe se në bashkëpunim me Qendrën e Deminimit në Gjenevë, është hartuar plani strategjik, i cili parasheh që deri në vitin 2024 do t’i pastrojmë të gjitha zonat e njohura të minuara dhe të afektuara nga bombat kasetore në Kosovë.
,,Institucioni më i besueshëm në Kosovë është FSK-ja, dhe njëra ndër të arriturat e saj më të mëdha është pikërisht operacioni i çminimit të minave dhe mjeteve tjera të pashpërthyera në Kosovë. Deri më tani njësitet e deminimit të FSK-së kanë pastruar 52,776,122 metra katrorë dhe kanë shkatërruar mbi 90,500 mina dhe mjete të tjera eksplozive. Nuk duhet të harrojmë faktin, që si pasojë e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese në Kosovë, që nga koha e luftës e deri më sot kanë humbur jetën 117 persona si dhe 467 kanë pësuar lëndime të rënda fizike. FSK-ja mbetet e përkushtuar në pastrimin e çdo fushë nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese”, u shpreh zëvendësministri Çeku .
Ndërsa, shefi i Qendrës Koordinuese për Deminim i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Ahmet Sallova, e paraqiti Planin strategjik për eliminimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese 2019-2024. ,,Kam kënaqësinë që në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Minave ta prezantoj edhe Planin strategjik të veprimit ndaj minave dhe mjeteve tjera eksplozive për periudhën 2019-2024 në Kosovë. Andaj evitimi i rrezikut nga minat dhe mjetet tjera eksplozive është një parakusht për rindërtimin e vendit dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe ekonomike’’.
Zoti Sallova falënderoi Ambasadën amerikane dhe SHBA-të, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme gjatë operacioneve të pastrimit në Kosovë, si dhe për ofrimin e donacioneve dhe trajnimeve profesionale për Kompaninë e Deminimit të FSK-së. Ai gjithashtu falënderoi edhe Zvicrën, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën dhe të gjitha vendet tjera që kanë ndihmuar vendin tonë në pastrimin e minave dhe mjeteve të tjera eksplozive.
Ndërsa, Asa Massleberg nga Qendra Kombëtare për Deminim në Gjenevë, tha se procesi i planifikimit strategjik 2019-2024, mundëson lehtësimin e operacioneve që Kosova t’i përmbush objektivat e parapara në pastrimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese.