Forca e Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së saj-27 Nëntorit, organizoi “Ditën e Hapur’’ në të gjitha kazermat për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Manifestimi qendror me rastin e shënimit të 27 nëntorit-Ditës së FSK-së u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, si dhe në të gjitha kazermat tjera të FSK-së në Kosovë, ku së bashku me ushtarë, nënoficerë dhe oficerë ishin pjesë e saj edhe mijëra nxënës, qytetarë, deputetë, personalitete ushtarake dhe politike të Kosovës, si dhe përfaqësues diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës.
Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në shënimin e Ditës së FSK-së, ishin të pranishëm edhe ministri Rrustem Berisha, zëvendës ministrat Brahim Mehmetaj dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralët: Zymer Halimi, Nazmi Brahimaj, Gëzim Hazrolli, si dhe oficerë të lartë të MFSK/ FSK-së, të KFOR-it, të NALT-it, etj.
Me një fjalë rasti, para të pranishmëve iu drejtua ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, i cili pos tjerash tha: “Sot, është Dita e Forcës së Kosovës, dhe unë jam shumë krenar që jam në krye të një institucioni që është vlerësuar si institucioni më i besueshëm në vend, dhe me ketë rast, shfrytëzojë rastin, që t’ju uroj të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, këtë ditë, dhe njëherësh rezultatet dhe sukseset e FSK-së, na banjë me u ndie krenarë.
Kjo që e pamë këtu, vërtetë është krenaria jonë, dhe në të ardhmen do të angazhohemi që t’ju krijojmë kushte sa më të më të mira, t’ju ofrojmë mundësi që edhe më tutje të zhvillohen dhe të arsimohen, si dhe t’i kryejnë trajnimet profesionale dhe të jenë të gatshmen edhe për detyra të reja.
Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet si dhe i kemi plotësuar kapacitetet tona operacionale për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ne po presim që t’i krijojmë kushtet dhe një klimë më të volitshme, që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese sepse transformimi me ndryshime kushtetuese e lehtëson edhe integrimin në NATO, po ashtu jemi duke punuar që ta avancojmë edhe bashkëpunimin në rajon dhe shpresojmë se shumë shpejtë me kapacitet tona operacionale do të jemi pjesë kushtetues e sigurisë, që të jemi jo vetëm konsumues, por edhe kontribuues aktiv të sigurisë” tha në fund ministri Berisha.
Dita e hapur, u mbajt në të gjitha kazermat e FSK-së, anembanë vendit si në: Mitrovicë, Istog, Pomozotin, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj, ku qytetarë të shumtë patën mundësinë që të shohin nga afër jetën ushtarake dhe të bashkëjetojnë me Forcën e tyre për një ditë.