Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas kërkesës së Kuvendit Komunal të Suharekës, ka urdhëruar ekipet e FSK-së të Njësisë Ndërlidhëse për Reagim në Kriza dhe ato të Batalionit të Xhenios, që t’iu dalin në ndihmë institucioneve dhe qytetarëve të Komunës së Suharekës në përballimin e situatës së shkaktuar pas vërshimeve të fundit, në mënyrë që banorët e kësaj ane t’i kthehen sa më shpejt jetës normale.
Operacionet e FSK-së janë duke vazhduar punën, si në pastrimin e rrugëve, largimin e ujit me pompa nga objektet e banimit, largimin e shumë objekteve të forta nga rrugët dhe trotuaret, të cilat janë bartur nga shirat e shumta që kanë rënë në natën e 15 gushtit në këtë komunë.
Pas vërshimeve, në Komunën e Suharekës, shumë lagje kanë pësuar dëme materiale, qoftë në infrastrukturë rrugore, qoftë në shtëpitë private dhe objekte tjera afariste.
Në këtë operacion, FSK-ja ka angazhuar teknikën e saj të përshtatshme për këto raste, si: autocisterna për pastrimin e rrugëve dhe parandalimin e erozionit; kamionë Kiper për ngarkimin dhe transportimin e dheut dhe zhavorrit si dhe ekskavatorë për kryerjen e punimeve në evitimin e dëmeve në fshatrat Greiqec, Papaz dhe Leshan.