Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ia dhuron në shfrytëzim një urë montazh, Komunës së Kamenicës, për zgjidhjen e problemit në fshatin Hajnoc.
Komuna e Kamenicës, përkatësisht Shefi i kabinetit, Meriton Ramabaja, së bashku me Koordinatorin e Shtabit Emergjent, Hysen Jerliun, sot kanë pranuar një urë montazh në shfrytëzim nga Forca e Sigurisë së Kosovë.
Urë kjo e cila do të zgjidh problemin e 10 fshatrave të cilat ishin të bllokuara pas dëmtimit të urës nga vërshimet.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, duke falënderuar FSK-në, tha se kjo urë montazh do të jetë lehtësim për banorët e këtyre fshatrave të bllokuar.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, po na ndihmon në zgjidhjen e problemit të urës në Hajnoc, fshat ky që lidh 10 lokalitete dhe Komunën e Prishtinës. Kjo zgjidhje e shpejtë vjen si rezultat i punës së përbashkët mes komunës, FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Infrastrukturës. Ura montazhë e cila do të vendoset në këtë pjesë, do të jetë lehtësim për banorët që kanë mbetur të bllokuar pas vërshimeve. Shefi i kabinetit, Meriton Ramabaja dhe koordinatori i shtabit emergjent Hysen Jerliu, sot bashkë me përfaqësues nga FSK, ishin të pranishëm gjatë rregullimit të terrenit për vendosjen e kësaj ure”, tha Kastrati.
Gjithashtu, Kastrati tregoi se është duke u punuar edhe për një rrugë alternative.
“Po punohet edhe për një rrugë alternative që qytetarëve t’u lehtësohet qasja në Kamenicë. Falënderoj kompaninë private “Krileva Company”, për gatishmërinë që të na del në ndihmë me makineri të rënda”, shtoi ai.
Edhe koordinatori i Shtabit Emergjent, Hysen Jerliu, tha se ndjehet i lumtur që është duke iu bërë zgjidhje të përkohshme banorëve të këtyre fshatrave.
“Falënderojmë FSK-në për këtë urë montazh, kjo urë do të bëjë zgjidhjen e përkohshme për banorët e këtyre fshatrave që ata të lëvizin më lehtë, jemi të lumtur që po u dalim në ndihmë banorëve të kësaj ane me të gjitha kapacitetet që i kemi”, tha Jerliu.
Ndërsa ura montazh e dhuruar nga FSK, do të rregullohet në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës dhe Ministrinë e Infrastrukturës.
Komuna e Kamenicës do të bëjë një zgjidhje alternative për vendosjen e gypave deri në rregullimin e urës, ndërsa Ministria e Infrastrukturës do të bëjë rregullimin e bazës. /2LONLINE.com/