Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit fillojnë projektin për lëndën zgjedhore “Edukim për Siguri”.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) të Republikës së Kosovës ka filluar realizimin e Programit Edukativ në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Qëllimi i këtij projekti është që përmes këtij prezantimi nga ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nxënësit të vetëdijesohen për rëndësinë e sigurisë së vendit dhe të ngritët motivimi në mënyrë që në klasën e XI-të në vitin e ri shkollor 2024-2025 lëndë zgjedhore të përzgjedhin “Edukimi për Siguri”.
Ekipet e Instruktorëve të FSK-së kanë filluar realizimin e këtij projekti që nga 20 Maji, duke përfshirë të gjitha shkollat e mesme të 29 komunave të Republikës së Kosovës dhe do të përfundon në fund të muajit maj.
Programi “Edukimi për Siguri” është lëndë shkollore e hartuar në mënyrë që nxënësve t’u ofrojë njohuri bazë rreth sigurisë, ku ata do të mësojnë aftësi dhe shkathtësi bazike të sistemeve të mbrojtjes dhe sigurisë, do të përvetësojnë njohuri rreth reagimit në situata të emergjencave të ndryshme, krizave si dhe vetëmbrojtjes. /2LONLINE/