/2L ONLINE/ – “Frymëzime” titullohet libri më i ri i poetit gjilanas Zeqir Fazliu, një autor tejet produktiv, i cili deri më tashti ka botuar një mori librash të këtij zhanri, me të cilat ka bërë emër në letrat shqipe.
Ramadan Musliu, kritik letrar, ka thënë se poeti Zeqir Fazliu bashkëjeton me natyrën, ai aty e gjen frymëzimin, aty vjel leksikun poetik, vend ku e vjel edhe koloritin edhe ritmin. Sipas tij, për Fazliun, natyra është jo vetëm spektër i ngjyrave, burim i vërtetë i kromatikes edhe arsenali i përbërjes së poezisë, por domeni ku poeti realizon qenien e vetë artistike.
“Kur poezia e këtij autori lexohet në vazhdimësi, krijohet bindja mbi konsistencën e konceptit poetik, mbi idenë e stereotipit të individualizuar poetik”, ka thënë Musliu, duke shtuar se në këtë libër Fazliu përdor motive të ndryshme dhe tematizime të ndryshme. Në këtë libër ka poezi që Zeqir Fazliu ia kushton aktualitetit, por edhe në to mbizotëron imazhi i idilikës. Gjithashtu në poezitë e tija dalin dy pole të frymëzimit: dhembja dhe ekstaza, kurse siç ka spikatur Musliu, poezia e librit “Frymëzime” sjell një spektër të gjerë objektesh inspirimi, por që nuk mbesin në nivelin e përshkrimit elementar, sepse marrin përmasa imagjinatave.
“Si të tilla këto frymëzime poetike janë materializuar bukur, poetikisht të funksionalizuara dhe artistikisht aktive dhe me vlera të mirëfillta letrare”, thotë Ramadan Musliu.
Edhe Migena Arllati, recensente, thotë se poezia e Fazliut vjen natyrshëm e qetësisht, duke bërë që brenda një kohe të shkurtër të ndjehemi pjesë e situatave dhe emocioneve që përmbajnë ato.
“I gjithë botimi “Frymëzime” i autorit Zeqir Fazliu, vjen si një shëtitje e bukur në çaste idilike, ku ndjenjat fisnikërohen pambarimisht nga prania e përhershme e natyrës. Kjo i jep poezisë nota të theksuara lirike dhe ndjeshmëri të qartë romantike, duke e bërë atë të thjeshtë e të bukur, frymëzuese dhe të paharrueshme. Një poezi e cila të mban ngrohtë dhe të pastron thellë shpirtërisht”, ka thënë Arllati.
Zeiqr Fazliu, deri më tashti ka botuar 17 vepra letrare. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse shumë poezi të tija kanë marrë çmime të ndryshme letrare. Ai jeton dhe vepron në Gjilan. /2L ONLINE/