Pas vendimit të Bankës Qendrore të Zvicrës për heqjen e kufirit të poshtëm të kursit revizor prej 1.20 franga për 1 euro, frangu vetëm se është forcuar për 15 për qind, dhe gati se është barazuar me euron.
Ky vendim i Bankës Qendrore të Zvicrës ka pasur ndikim edhe në këmbimin e kësaj valute në Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës.
Më të goditura janë këmbimoret në Bujanoc e Preshevë të cilat gjatë ditës së enjte, por edhe të premten, nuk janë në gjendje as të shesin, e as të blejnë franga zvicerane.
Pronari i këmbimores “H.Selimi” në Bujanoc me pronar Hysen Selimin, i tha portalit informativ Titulli.com, se edhe përkundër kërkesës së madhe për të këmbyer frangat zvicerane në euro, nuk ka qenë në gjendje që të këmbejë këtë valutë.
“Kërkesat janë të mëdha, mirëpo nga dita e enjte për shkak të jostabilitetit nuk kemi pranuar të bëjmë konvertimin e frangut zviceran”, tha Selimi, duke nënvizuar se nga dita e hënë nëse vie te stabilizimi do të vazhdojnë këmbimin edhe të kësaj valute.
Ndërsa në këmbimoren “Cima” në Bujanoc, të premten këmbimi ka vazhduar, edhe pse nga fillimi i ditës e deri në mbyllje të saj kishte ndryshime në vlerën e frangut.
“Në mëngjes frangu kundrejt euros vlerësohej 1 chf = 0.95 euro, më vonë 0.93, e deri në fund të ditës kur mund të konvertohej 1chf për 0.90 euro”, i tha Titullit, Arsim Hasani nga këmbimorja “Cima”.
Gjatë kohës prej rreth 15 minutave sa gazetari qëndroi në hapësirat e kësaj këmbimore, shumica e klientëve kërkesë këmbimi kishin frangat në valutën evropiane.
Ky vendim i Bankës Qendrore të Zvicrës për heqjen e kufirit, ka goditur edhe bankat që veprojnë në Serbi të cilat kanë kufizuar apo bllokuar në tërësi këmbimin e frangut.
Më të goditur janë rreth 30 mijë qytetarë në Serbi të cilët kanë kredi në valutën zvicerane. Bankat kanë kërkuar nga qytetarët të konvertojnë kreditë në euro ngase mund të dëmtohen shumë nga rritja e vlerës së frangut karshi euros.