Ndërkombëtarizimi i sportit, në veçanti futbollit, bashkëpunimi në zhvillimin e mjekësisë sportive, sportit shkollor dhe aktivitete të tjera të përbashkëta në fushën e sportit dhe rinisë, kanë qenë temë diskutimi në takimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi me ministren e Sportit dhe Rinisë të Francës, Valerie Fourneyron sot në Paris.
Ministri Krasniqi ka falënderuar ministren franceze për ndihmën që shteti i saj i ka dhënë Kosovës në shumë fusha. Ai e ka njoftuar atë më progresin dhe sfidat në fushën e sportit dhe rinisë, në veçanti në ndërkombëtarizimin e sportit dhe zhvillimin e tij brenda Kosovës. Ai shtoi se sportistët e Kosovës për shumë vjet padrejtësisht kanë mbetur të izoluar nga garat ndërkombëtare dhe kjo si shkas i politikës. Ministri deklaroi se deri tash janë bërë hapa të rëndësishëm në ndërkombëtarizim të shumë sporteve por shtoi se Kosova nuk duhet të izolohet më, në veçanti nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe federata të sporteve popullore, siç janë futbolli dhe basketbolli. Ministri kërkoi nga ministrja franceze që ta ndihmojë në ndërkombëtarizim të sportit të Kosovës, në veçanti futbollit, tash kur edhe FIFA pritet ë të marrë një vendim për ndeshjet miqësore.
“Ne kemi shumë të rinj që e kanë dëshmuar gjithandej botës talentin dhe vullnetin e tyre për sportin. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të jemi pjesë e garave zyrtare ndërkombëtare dhe të japim edhe në kontributin tonë për sportin si një urë lidhëse mes popujve”, tha ai, teksa i ka kërkuar ministres bashkëpunim në zhvillimin e sportit shkollor dhe mjekësisë sportive. “Këto janë aspekte të rëndësishëm për neve. Sporti shkollor është një prioritet dhe rrugë shumë e rëndësishme për masivizimin e sportit dhe afirmimin e talenteve. Mjekësia sportive po ashtu përben një hallkë tejet domethënëse për gara cilësore dhe zhvillim të sportit”, ka deklaruar ministri Krasniqi, duke folur edhe për progresin në përkrahjen e rinisë.
Nga ana tjetër, ministrja Valerie Fourneyron përgëzoi ministrin Krasniqi për progresin dhe përpjekjet e mëdha për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit. Ajo ka shprehur interesimin që bashkëpunimi mes Francës dhe Kosovës në fushën e sportit dhe rinisë të rritet. Ministrja franceze ofroi mbështetje për ndërkombëtarizim të sportit, në veçanti futbollit, si dhe ndihmë në zhvillimin e brendshëm të sportit në Kosovë, në aspektet si sportin shkollor, mjekësi sportive./rtklive.com/