Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije për një rast në fshatin Kmetoc të Gjilanit, ku policia ka shkuar dhe ia ka konfiskuar armën një qytetari, krejt kjo pasi ai paraprakisht kishte nxjerrë foto në facebook me armë në dorë. Rasti në fjalë është proceduar tutje në prokurorinë themelore.
Zëdhënësi Hashani duke folur për rastin thotë se Policia e Kosovës nga stacioni policor i Gjilanit, në shtëpinë e tij ka arrestuar të dyshuarin, shtetas i Kosovës, pasi që i njëjti në rrjetin social Facebook, ka publikuar një foto, në të cilën shihet duke mbajtur në dorë një armë zjarri, të llojit pistoletë.
“I dyshuari ka pranuar që posedon armën me të cilën shihet në foto dhe të njëjtën e ka dorëzuar”, ka thënë Hashani.
Arma pistoletë “Ekol Jackal Compact’’ kalibër 9mm, me një karikatorë pa fishekë është konfiskuar.
Në konsultim me prokurorin, rasti i referohet Prokurorisë Themelore në procedurë të rregullt.