(2L ONLINE) – Pas promovimit të suksesshëm në Prishtinë, para disa ditëve , ku morën pjesë 9 ambasadorë të akredituar në Kosovë, mandej në Mitrovicë, Deçan e Pejë, të premten në sallën e Kuvendit të Komunës në Gjilan u bë promovimi i librit të 8-të të Prof. Dr. Nexhmedin Spahiut “Foshnjëria e Kombit Kosovar”. Në sallën e Kuvendit e mbushur përplot me dashamirë të librit, në mesin e të cilëve kishte autoritete politike e kulturore të qytetit, për librin foli Halil Matoshi dhe vet autori.
Autori njihet si profesor me renome në regjion dhe në botë. Prof. Dr Nexhmedin Spahiu ka punuar në Univerzitetin e Hamburgut, Tiranës, Tetovës. Punimet e tija shkencore janë botuar në revista shumta shkencore më prestigjioze të botës. Autori nuk është vetëm matematicient, por edhe studiues i politikës dhe njohës i jashtëzakonshëm i historisë së popullit shqiptar, por edhe i historisë botërore”, ka thënë parafolësi Ismet Azizi. Sipas tij, autori është provokues me idetë e tij dhe parashikues shumë i mirë, thyen tabu, ka shpërfaqë nëpër shkrimet e tij ide të jashtëzakonshme shumë provokative, dhe është parashikues i jashtëzakonshëm i proceseve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë”, u shpreh Azizi.
Për shkrimtarin Halil Matoshi, tema e librit është një nga temat më të diskutuara në tri dekadat e fundit. Sipas tij, autori i zbërthen me idetë e tij temat e vjetra. “Identiteti si temë bosht që e preokupon publicistikën e Nexhmedin Spahiut është njëra prej temave më të debatueshme në tri dekadat e fundit jo vetëm në Evropën juglindore, por atë perëndimore. Autori me esetë e tij imton, zbërthen dhe i çmonton idetë e vjetra që kombin e shohin si një identitet dhe të veçantë”, ka deklaruar Matoshi.
Me këtë rast autori i librit Nexhmedin Spahiu u shpreh se ideja e mëhershme e lindjes së një kombi të ri, atij kosovar, është më e pranueshme se para 10 viteve. Ndërsa, të pranishmit vlerësuan lart librin të sa po botuar. Ata e quajtën autorin guximtar të madh që hap tema të rëndësishme për debat. Për autorin kur para dhjetë viteve më parë kishte filluar të shkruajë se po lind një komb i ri, kombi kosovar, ishte akuzuar se po e përçan kombin, por dalëngadalë gjërat kanë lëvizur dhe tani kjo ide është më e akceptueshme për të tjerët dhe reagimi i njerëzve është më normal. “10 vite më parë kur unë promovova librin “Drejt kombit kosovar”, libri u shqye para kamerave, u dogj në shenjë proteste për atë çfarë përmbante, duke më akuzuar si një njeri që po e përçan kombin shqiptar, por katër vite më parë kur promovova librin tim tjetër, kishte një reagim shumë më të mirë, natyrisht kishte edhe mospajtime. Tani promovimi i librit “FOSHNJËRIA E KOMBIT KOSOVAR’’, duket krejt më normal”, deklaroi Spahiu.
Libri “Foshnjëria e Kombit Kosovar” sipas referuesve, i ka bindur edhe me të pabindurit në vërtetësinë e pohimeve të autorit.
Libri ka zgjuar interesim të paparashikuar gjë që u pa nga pjesëmarrja dhe diskutimet me këtë rast u zhvillua debat shumë i frytshëm. Ne debat morën pjesë; Fadil Kajtazi, Gani Neziri, Gentrit Murseli, Arianit Sllamniku, Sabit Rrustemi, Shaban Terziu, Izeir Hyda etj.
Libri pritet të promovohet edhe në Tiranë , Shkodër, Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Gjakovë e Prizren.