(2L ONLINE) – “Organizatat e shoqërisë civile do të mund të ndihmonin duke ofruar pikëpamje për buxhetin, angazhim në vetëdijësimin dhe konsultimin e qytetarëve, por mjerisht OJQ-të janë lënë tërësisht jashtë procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2015”, ka thenë Amir Jakupi, përfaqësues i OJQ “Fortesa”.
Sipas tij, draft-buxheti përmbanë lëshime e mangësi dhe nuk garanton zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarët.
“Të jepen 25 mijë euro për rregullimin e ngrohjes qëndrore për objektin e drejtorisë së Kulturës, një objekt totalisht të pashfrytëzueshëm, e të mos mendohet për një shkollë fillore në Berivojcë, apo pastrimin e lumit në Koretin, kjo është e papranueshmë për qytetarët”, ka theksuar Jakupi.
Ai ka kërkuar nga organet përgjegjëse, që në buxhetin e vitit të ardhshëm të bëjnë edhe përfshirjen e premtimeve elektorale. “Qytetarët presin përmbushjen e premtimeve nga kjo qeveri komunale. Rregullimi i parkut prapa qendrës për punës sociale, rekonstruimi i stadiumit të qytetit, ndërtimi i ujësjellësit në Muciverc, rregullimi i shtratit të lumit dhe ujësjellësit në Hogosht, do të duhej të ishin në listën e projekteve për realizim”.
E papranueshme sipas Jakupit, është ulja e fondeve për subvencione e investime kapitale dhe rritja e shpenzimeve, përfshirë blerjen e veturave, mallra dhe shërbime. “Fortesa” në konsulta edhe me qytetarët vlerëson se; Pastrimi i lumit në Koretin, Ndërtimi i një shkolle të ciklit të ulët në Berivojcë, Rregullimi i stadiumit të qytetit , Ndarja e mjeteve për eliminimin-trajtimin e qenve endacak, janë projekte dhe probleme, me të cilat qeverisja komunale do të duhej të merrej që në fillim të vitit të ardhshëm.
Amir Jakupi, përfaqësues i OJQ “Fortesa”, organizatë partnere e KDI-së në monitorimin e komunës së Kamenicës, kërkon nga anëtarët e Kuvendit Komunal që të jenë konstruktiv, njëherit të përkushtuar dhe syçel gjatë miratimit të buxhetit. /2L ONLINE/