Dy makinat e Red Bull do të nisen të parat në garën e nesërme të Formulës 1, pasi dominuan edhe sesionin e provave zyrtare të zhvilluara këtë të shtunë. Mark Webber, si i vetmi që arriti të zbriste në kufirin e 1minute e 40 sekondash në xhiron e tij më të shpejtë do të niset nga vendi i parë, i ndjekur menjëherë nga kampioni i sapo shpallur i botës, Sebastian Vettel.
Mercedes konfirmoi përparimet e realizuara në këto javë duke renditur dy pilotët e tij në vendin e tretë dhe katërt, përkatësisht Rosberg e Hamilton.
Raikkonen, me Lotus do të niset nga vendi i pestë, ndërsa Ferrari vazhdoi të ishte tërësisht zhgënjyes edhe në Çmimin e Madh të Emirateve të Bashkuara Arabe, me Massa-n që do të niset nga rreshti i katërt, në vendin e tetë dhe Alonson vetëm të 11-tin.
Me Vettel që ka siguruar titullin e tij të katërt radhazi kampion dhe Red Bullin që ka garantuar titullin për konstruktorë, tre garat e mbetura të sezonit shërbejnë vetëm për të përcaktuar se cili pilot dhe skuadër do të renditet në vendin e dytë të Botërorit./topchannel/