Biblioteka Regjionale në Gjilan u shndërrua edhe në një fole fëmijësh – lexuesish, kjo pasi klubi i sapoformuar i lexuesve të rinj po takohet në këtë vend.
Me iniciativë vullnetare të profesoreshës së gjuhës angleze, Festa Shabani, dhjetëra fëmijë i janë bashkuar kësaj iniciative, për të qenë prezent në leximet e përbashkëta e rrjedhimisht për t’u bërë pjesë e këtij grupi.
Biblioteka Regjionale në Gjilan u shndërrua kështu në një fole fëmijësh (të moshës 6-10 vjeç), që krahas lexuesve tjerë, edhe këta po e shfrytëzojnë këtë ambient për t’u mbushur dituri.
Festa Shabani tregon idenë e kësaj nisme, që tani po i zhvillon aktivitetet siç ishte ajo e “Leximit të përrallave” .
Ajo ka thënë se Klubi i leximit, u krijua me qëllim që të bashkojë fëmijët, socializojë ata, të edukojë, t’i argëtoj e mbi të gjithë të zhvillojë mendimin kritik dhe të rrit interesimin për të lexuar.
E interesimi i më të vegjëlve nuk mungon duke qenë pjesë e leximit, diskutimit, e duke komentuar, shfaq talente të ndryshme.
Festa Shabani tregon se ideja e këtij projekti do vazhdojë të jetësohet edhe më tej dhe aktivitetet e klubit do të pasurohen nga java në javë.
Ajo pret që kësaj iniciative t’i bashkohen edhe vullnetarë të tjerë, të profileve të ndryshme, për të dhënë kontributin e tyre në këtë klub.
Mësimdhënësja Festa Shabani, fton të gjithë fëmijët e interesuar, të moshës 6-10 vjeç, të bëhen pjesë e klubit, çdo të shtunë në Bibliotekën e qytetit në Gjilan, ora 12:00, regjistrimi është pa pagesë.
/Elife Sherifi/