Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
(2L ONLINE) – Forma aktuale e regjistrimit, përkatësisht ndarjes së nxënësve në klasat e para në komunën e Gjilanit, ka dëshmuar se është formë e gabuar dhe ka sjell telashe dhe pakënaqësi të shumta të çdo relacioni qoftë. Forma e tillë për regjistrimi i nxënësve në klasat e para, është bërë sipas alfabetit dhe sipas gjinisë.
Kjo mënyrë e aplikimit të kësaj ndarje, e cila kishte filluar para tri vitesh, madje me një krenari të lartë, nga ish ideologët e kësaj forme, që tashmë ka marrë emrin e “zarfit”, kinse është zbuluar ndonjë mrekulli e veçantë, edhe përkundër që ka mundur të ketë qëllim të mirë, megjithatë ka rezultuar të jetë jo e mirë, jo funksionale dhe që ka shkaktuar probleme e pakënaqësi të shumta.
Me këtë formë të deritashme të ndarjes, autoriteti i mësuesit/ses, stafit mësimor, por edhe i udhëheqësve të shkollës ishte zbehur tejmase, dhe krijonte pakënaqësi të madhe të prindërit, fëmijët, në mes kolegeve e tjerë. Kjo formë e tillë ishte cenim i së drejtës së fëmijëve, si kundër që ishte edhe formë centraliste.
Formës së “zarfit” i kanë munguar disa karakteristika tejet të rëndësishme si: vlerësimet sipas aftësive intelektuale të fëmijëve, aftësive të zhvillimit psike- fizik, dhe përgatitjes së shkollimit të prindërve.
Dhe vendimi i fundit i Komiteti i Arsimit në Gjilan që ka rekomanduar anulimin e vendimit që ka të bëjë me kriteret e regjistrimi të nxënësve në klasat e para dhe pret që Kuvendi Komunal, pas diskutimit të kësaj çështje, të nxjerrët një vendim të ri për kriteret e regjistrimit është për të përshëndetur, ndonëse kjo ka mundur të bëhet edhe më herët, por më parë nuk kishte hasur në përkrahje të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë trupë profesionale, i cili që nga fillim i saj, me ngulm kishte kërkuar që ky vendim i deritashëm të shfuqizohet.
Ndonëse për format, mënyrën dhe modalitet tjera ka mbetur që të diskutohen në ndonjë takim tjerë të kësaj natyre, megjithatë ne po japim disa ide apo alternativa për regjistrimin e nxënëseve në klasat e para.
• Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë bëhet pa asnjë diskriminim fetar, gjinor, racor, social, gjuhësor, rajonal e tjerë.
• Verifikimi i aftësive psikofizike për vijimin në shkolla të rregullta
• Regjistrimit të nxënësve në klasat e para i paraprinë biseda me psikologun me qëllim të përcaktimit të shkallës së zhvillimit psiko-fizik të nxënësit.
• Vlerësimi duhet të bëhet nga mjeku dhe psikologu/
• Asnjë fëmijë nuk duhet përjashtohet nga arsimi i rregullt për shkak të aftësive të kufizuara fizike ose mendore.
• Me kërkesë të prindërit, fëmija mund të regjistrohet jashtë zonës shkollore, ku ai i takon.
• Në mungesë të testit standard për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë nga ana e shtetit, kjo mund të rregullohet përmes grupit të ekspertëve për regjistrim e që duhet të jenë persona profesionistë: Psikologu, pedagogu, pediatri dhe defektologu.
• Ndarja e nxënësve të jetë kompetencë e shkollave përkatëse.
• Format e ndarjes së fëmijëve mund të bëhen me pikë, me shkronja, me ngjyra, me simbole e tjera dhe ndarjen duhet bërë grupi i ekspertëve.
Nuk janë vetëm këto mundësi, kuptohet ka edhe shumë të tjera, andaj do të ishte mirë që organet relevante arsimore të organizojnë një diskutim publik për këtë çështje dhe në fund të përzgjedhin më të mirën e mundshme.
(Autori është anëtar i Komitetit të Arsimit nga LVV dhe njëherësh edhe mësimdhënës i Matematikës)