(2L ONLINE) – Është nënshkruar sot marrëveshja ne mës të Komunës së Gjilanit dhe Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për themelimin e Muzeut Rajonal të Gjilanit. Pra nga sot e tutje, edhe zyrtarisht ish-objekti i kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri është Muze.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e bëri kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe drejtori i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për Kosovë, Sali Shoshi pikërisht në objektin Muze.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe nënkryetari Rexhep Kadriu, u.d drejtori Kulturës Bujar Haziri, nënkryetari i Novobërdës Bajrush Imeri etj.
“Jam jashtëzakonisht i nderuar që në këtë ditë të korrikut përfundimisht e kemi formalizuar themelimin e Muzeut Rajonal të Gjilanit, njëra nga angazhimet e përbashkëta tonat dhe njëra nga mungesat e mëdha që qyteti i Gjilanit dhe regjioni ynë i ka, siç kemi thënë qytet pa Muze, pa kinema dhe qytet me mungesë të institucioneve kulturore. Falënderoj shumë Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe z. Shoshi që është sot këtu me ekipin për mbështetjen që po e jep edhe Komunës së Gjilanit në agjendën e trashëgimisë kulturore në përgjithësi”, tha me këtë rast kryetari Lutfi Haziri.
Ai ka thënë se do të mundohen që këtë muze ta bëjmë shtëpi, ku njerëzit, qytetarët, fëmijët, vizitorët, gjithkush që vjen në Gjilan, të bëhet emblemë identifikimi me Gjilanin, të vijnë ta vizitojnë dhe natyrisht me qenë njëra nga shtëpitë më të vizituara në komunën tonë.
Nga ana e tij, Sali Shoshi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për Kosovë, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e madh e ka treguar përgjatë këtyre muajve si kryetar i Gjilanit.
“Sot jemi këtu në ceremoninë e themelimit të Muzeut. Fokusi i bashkëpunimit në Gjilan që sot është konkretizuar me memorandumin e bashkëpunimit do të jetë që të mblidhen eksponatet, të bëhet katalogimi i tyre, të bëhet interpretimi i tyre dhe të ndërtohen ekspozitat në muze, përpos kësaj të trajnohet stafi dhe muzeu i Gjilanit të bëhet pjesë i rrjetit të muzeve në Ballkan, ku do të përfitojnë përmes aktiviteteve që do të zhvillohen në gjithë Ballkanin, parmes trajnimeve temave që lidhen me muze. Falënderoj shumë kryetarin për bashkëpunimin shumë të frytshëm që e kemi pasur gjatë kësaj periudhe, dhe falënderoj edhe Forumin Rinorë Lokal të Trashëgimisë Kulturore për idetë, për propozimet e tyre, të cilat kanë kontribuar që të hartohet plani lokal i trashëgimisë kulturore. Ky plan, përpos muzeut e ka edhe një listë të gjatë të veprimeve që duhet të ndërmerren për mbrojtjen dhe trajtimin trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Shoshi.
Shoshi tha se Gjilani ka eksponate, një kulturë e cila mund të mblidhet dhe mund të interpretohet, duke shpresuar që deri në fund të këtij viti ne do të dalin me ekspozitën e parë dhe me produktin e parë që do t’ua servojnë edhe turistëve, por edhe qytetarëve të Gjilanit.
Dhënia e objektit të kryetarit të Komunës ka qenë premtim elektoral i kryetarit Lutfi Haziri që është realizuar para pak javësh.
Javë më parë kryetari Haziri dhe Kabineti i tij janë vendosur në objektin e ish-gjykatës, në rrugën “Bulevardi i Pavarësisë”./2L ONLINE/