Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në debatin e hapur me shoqërinë civile për temën “Qëndrimi i komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC).
Presidenti Thaçi ka thënë se transformimi FSK-së, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të saj, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve dhe në interes të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.
Ai ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi për askënd, ashtu siç nuk paraqet asnjë kërcenim as FSK-ja.
“Qëllimi i vetëm i FSK-së sot dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës nesër, do të mbetet i njëjtë. Është fuqizimi i paqes, stabilitetit në rajon dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se ky proces i filluar vite më parë, gradualisht është duke shkuar drejt fazës përfundimtare.
Kreu i shtetit ka folur edhe për debatin publik për transformimin e FSK-së, i cili, sipas tij, shpeshherë është përcjellë edhe me keqkuptime të reduktuara rreth pyetjes nëse duhet të përmbyllet ky proces përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimeve ligjore.
“Askush nuk mund ta bllokojë qëllimshëm këtë proces. Askush nuk mund të vë veto ndaj këtij procesi. Pavarësisht mënyrës sesi do të përfundojë procesi, ky është një proces kushtetues dhe ligjor. Po e theksoj këtë fakt për të hequr disa keqkuptime që mund të ekzistojnë tek disa shtete anëtare të NATO-s”, ka thënë ai.
Ndryshimet kushtetuese, sipas të parit të vendit, janë të domosdoshme vetëm në kuptimin simbolik, pra të ndërrimit të emrit të FSK-së në FAK, si dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, Kosova siguron një përfshirje më të gjerë të të gjitha komuniteteve, gjë që do ta bënte më të lehtë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Ne duam që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha komuniteteve të Kosovë. Është kjo mënyra më e mirë e mundshme për të arritur të gjithë së bashku te një vlerë tjetër shumë e rëndësishme përbashkuese e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se në këto vlera i bashkojnë të gjithë edhe Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, demokracia dhe votimet për pushtetin lokal dhe qendror të vendit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, gjykatat, rendi dhe ligji i Kosovës.
“Vetëm pak vite më parë ka qenë e paimagjinueshme, që shqiptarët dhe serbët do të votojnë së bashku, në të gjitha anët e këtij vendi, për përfaqësuesit e tyre në qeveritë komunale dhe vendore, që do të punojnë së bashku në Kuvend dhe në Qeveri, në polici, në dogana, në administratë tatimore dhe së fundmi edhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë”, ka thënë ai.
Vetëm pak muaj më parë, sipas presidentit Thaçi, pakkush ka mundur të paramendojë që së bashku me të në Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, do të ulen shqiptarët dhe serbët që ende i vuajnë pasojat e luftës në Kosovë, në kërkim të më të dashurve të tyre që janë ende të pagjetur.
“Edhe sot, ne të gjithë jemi krenarë se në përbërje të FSK-së janë edhe 103 përfaqësues të komunitetit serb që punojnë krah për krah me pjesëtarët e tjerë për ta fuqizuar atë dhe për ta bërë të gatshëm transformimin në Forcat e Armatosura të Kosovës. Oficerët shqiptarë dhe serbë sot gjinden në akademitë më prestigjioze ushtarake botërore, prej West Pointit e tutje, në përgatitje të detyrave të reja që i presin në të ardhmen”, ka theksuar ai.
I vetëdijshëm për shqetësimet mbizotëruese tek politikanët dhe qytetarët serbë për procesin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, presidenti Thaçi është shprehur i gatshëm që të bisedojë nëse duhet për çdo ditë me politikanët dhe qytetarët serbë të Kosovës, për të shpjeguar pse ne duhet t’i bëjmë Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Ne e dimë, të gjithë së bashku, që KFOR-i nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Për më shumë, është interes i KFOR-it dhe i Paktit NATO që sa më parë që është e mundur, Kosova të qëndrojë në këmbët e saj edhe në këtë segment të veçantë të sigurisë. Tek e fundit, Forcat e Armatosura do të bëhen në bashkëpunim të plotë me KFOR-in, Paktin NATO dhe SHBA-në”, ka thënë ai.
Presidenti i vendit ka thënë se tashmë ka ndërmarrë disa nisma për të krijuar një konsensus të plotë me të gjitha komunitetet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
http://www.president-ksgov.net/sq/lajme/presidenti-forcat-e-armatosura-do-te-behen-me-vullnetin-politik-te-te-gjitha-komuniteteve