Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) përmes të cilit maten perceptimet publike në Kosovë në lidhje me besimin e qytetarëve në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë.
Nga të gjitha të dhënat rezulton se, Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të. Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal “Barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor – promovimi i llogaridhënies në Institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë” i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
Forca e Sigurisë së Kosovës, epitetin e institucionit më të besueshëm në vend, vazhdon ta mbajë për vite me radhë. Ky është rezultat i politikave të duhura të qeverisjes së mirë dhe integritetit institucional me transparencë dhe llogaridhënie të plotë në të gjitha nivelet e udhëheqjes, administrimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe drejtimit, komandimit dhe operacionalitetit të FSK-së. /2LONLINE.com/