Brenda katër viteve, politikanët tanë janë pasuruar për rreh 2 mijë e 449 për qind më shumë. Kështu pohoi Fidan Kalaja, nga Lëvizja “Fol”, në një konferencë për media, ku ka prezantuar të dhënat e përditësuara të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik për vitet 2010-2014, në kuadër të Platformës së Deklarimit dhe Krahasimit të Pasurisë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga “FOL”, kryetarët e Komunave të zgjedhur në 2013 janë 30 për qind më të pasur, kabineti qeveritar 15 për qind me i pasur se parapraku dhe deputetët e vitit 2014 janë 2.2 për qind më të pasur.
Kalaja tha se në këtë platformë janë të përfshirë pasuritë e 307 zyrtarëve të lartë publik, ku janë kategorizuar në katër kategori. Në kategorinë e krerëve të lartë të shtetit, ku janë të përfshirë presidenti i Kosovës, kryeministrat dhe zëvendëskryeministrat prej periudhës 2010-2014. Në kategorinë e Kuvendit të Kosovës, ku është përfshirë pasuria e deputeteve të Kosovës në tri legjislatura, kategorinë e kabinetit qeveritar 2008-2011 dhe 2011-2014 dhe kategorinë e kryetarëve të komunave 2009-2013.
Kalaja theksoi se në përgjithësi pasuria e këtyre 307 zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në këtë platformë në vitin 2010 ka qenë 15 milionë e 977 mijë euro. Ndërsa, totali i pasurisë së zyrtarëve të lartë për vitin 2014 ka qenë rreth 407 milionë euro, ose 2449 për qind më e lartë se ajo e vitit 2010.
“Në këtë kategori prin pasuria e zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli, prej 215 milionë euro. Pasuria me radhë është ajo e kryeministrit Hashim Thaçi me 694 mijë euro dhe pasuria e Presidentes së Kosovës me 134 mijë euro…. Ndërsa, pasuria e deputeteve të kësaj legjislatura është rreth 146 milionë euro apo 2.23 për qind më e lartë se pasuria e legjislaturës së kaluar. Në këtë legjislaturë, në legjislaturën e re për nga pasuria prin deputeti Ramiz Kelmendi, me totalin e pasurisë prej 46 milionë euro. I dyti është Hamza Balje me totalin epasurisë prej 4.9 milionë euro dhe e treta është deputetja Blerta Deliu-Kodra , me totalin e pasurisë prej 2.8 milionë euro. Tek kategoria e kabinetit të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Në këtë kategori për nga pasuria e deklaruar prin pasuria e zëvendësministrit të ministrit të zhvillimit ekonomik Ramadan Hasani, me totalin e pasurisë prej 2.5 milionë euro, i dyti është zëvendësministri i ministrisë së administratës publike, Nexhmedin Kastrati me totalin e pasurisë prej rreth 2 milionë euro dhe i treti është ministri në detyrë i planifikimit hapësinor, Dardan Gashi me pasuri prej 1.1 milion euro”, ka pohuar Kalaja.
Ndërsa, sa i përket kryetarëve të komunave, Kalaja tha se prej kryetarëve të rinj, prin pasuria e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri me 7.6 milionë euro, pasuar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me 2.4 milione euro, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ka një total të pasurisë me rreth 2 milionë euro.
Ai po ashtu tha se gjatë përditësimit të të dhënave, ata kanë hulumtuar dhe disa aspekte të ndjeshme, sa i përket mos deklarimit apo deklarimit të rrejshëm të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe se është vërejtur që shumë nga zyrtarët, e sidomos ata të rinj, nuk e kanë deklaruarpasurinë e tyre.
“Ka shumë zyrtarë, e sidomos të rinj, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre. Tek deputete ne kemi vërejtur që deputete e rinj, siç janë Adem Hoxha, Besa Bahtia, Labinota Murtezi, Fisnik Ismajli, Nezir Çoçaj, Pal Lekaj, Raif Qela, Sevdije Halimi, nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre pas marrjes së detyrës së deputetit…Te kryetaret e komunave, ne kemi vërejtur se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ai i Fushë Kosovës, Burim Berisha, i Ferizajt Muharrem Sfarqa dhe kryetari i Zveçanit, Vucina Jankovic, nuk e kanë deklaruar pasurinë“, tha ai.
Ndryshe, gjatë këtij prezantimi u tha se gjatë procedimit të të dhënave të pasurisë së zyrtarëve të lartë, është vërejtur se disa shifra të formularët e agjencionit nuk kanë qenë në rregull. Kështu që FOL kërkon nga Agjencioni Kundër Korrupsion, që të jap sqarime për disa shifra të pasurisë së Lutfi Haziri, të cilit në formularë i është prezantuar paga për 2013 në vlerë prej 96 000 euro, Fadil Ismajli paga prej 7 000 euro, Begzad Sinanit, shtëpia në vlerë prej 8640 euro, Gani Kocit banesë në vlerë prej 5912 euro dhe Biserka Kostiq, e cila në vitin 2014 ka deklaruar pagat vjetore për 4 vitet e fundit, e të cilat nuk janë të njëjta me formularët e viteve të kaluara.