(2LONLINE) – Ka nisur sot manifestimi me karakter kombëtar “Flaka e Janarit 2014” që mbahet në nderim të 30 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me bashkëpunëtorët e tij fillimisht ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve të kombit, duke vënë kurora lulesh.
Me këtë rast, kryetari Haziri është shprehur se gjunjëzohet para veprave të dëshmorëve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
“Ne gjunjëzohemi para atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, që kanë dhënë më të shtrenjtën, dhe falë sakrificës së tyre, martirizimit dhe heroizimit të dëshmorëve ne sot jemi këtu në këtë ditë të bardhë, në këtë liri që Kosova po e gëzon”, ka thënë Haziri.
Më pas kryetari Haziri ka bërë homazhe para lapidarit të dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, për të vazhduar te busti i dëshmorit Agim Ramadani.
Ndërsa, kryetari Haziri ka pritur familjarët e dëshmorëve në sallën e Kuvendit Komunal, për t’i falënderuar për sakrificën dhe qëndresën e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.
“Jam i vogël sot të flas para familjet e mëdha dhe mbi të gjitha para veprës së madhe të dëshmorëve. Të gjithë dëshmorët para Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, por edhe ata pas tyre, kanë vazhduar të njëjtën rrugë për liri dhe të njëjtën rrugë për të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë ata. Kjo sot është më e plotë por jo aq sa ishte aspirata dhe ideali i tyre. Natyrisht ne të gjallët e kemi për detyrë ta vazhdojmë rrugën drejt realizimit të plot të aspiratave të tyre”, ka thënë në fjalën e rastit kryetari Haziri.
“Duke qenë kryetar i ri i zgjedhur vetëm para disa javësh, jam i nderuar dhe shumë i lumtur që po kthehem në Komunë dhe në “Flakën e Janarit”. “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të dëshmorëve. Ky vit i përkushtohet veprave të tyre, si çdo vit por në ballë të tyre janë dy dëshmorë të mëdhenj që 30 vjet më parë bënë veprën e madhe dhe bënë thirrjen e madhe, sepse thirrja e madhe pas rënies së tyre ishte se lufta duhet të vazhdoj dhe se përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe ecjet tona nuk duhet të ndalen deri në realizimin e plotë”, tha Haziri.
“Kjo nuk është ditë për të thënë fjalë të tjera pos t’ju falënderojmë. E di që edhe më tutje keni brenga, zbrazëtirë dhe e di se edhe më tutje keni kërkesa, për të vendosur aty ku e ka vendin çdo familje dhe çdo individ, pra kjo mbetet detyra jonë e parë. Sot Gjilani dhe Kosova janë bërë bashkë për të bërë nderim deri në përkulje”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri”, ka përfunduar fjalimin para familjeve të dëshmorëve kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, është shprehur se Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ranë dëshmorë për një ideal të madh kombëtar.
“Në shenjë të 30 – vjetorit, më lejoni të shpreh atë ndjenjë të përbashkët tonën se Rexhepi dhe Nuhiu kanë ra për një ideal të madh, dhe ata na ftojnë gjithmonë me amanetin e tyre, të jemi bashkë të jemi në një rrugë si komb ashtu siç e kanë imagjinuar ata, që të jetë një komb vërtet me vlera të civilizimit, drejt zhvillimit dhe drejt integrimit në Europë. Kështu të bashkuar ne mendojmë se iu ndihmojmë edhe shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, edhe atyre në Maqedoni dhe Mal të Zi dhe gjithandej ku ka shqiptarë”, ka thënë deputeti Ahmet Isufi.
Ndërsa, sot në ora 17:00 do të bëhet ndezja simbolike e flakadanit të “Flakës së Janarit 2014” / 2lonline/