Me homazhe te shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe me vizitën në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot në Gjilan, ka nisur rrugëtimin e tij manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, që sivjet mbahet për të 30-tën here me radhë.
Edicioni i sivjetëm i “Flaka 2021” që si manifestim mbahet në nderim e kujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, nëpër të gjitha periudhat kohore, i dedikohet heroit Kadri Zeka.
Në hapje të manifestimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga delegacioni komunal, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në qendër të qytetit.
Më pas, delegacioni komunal, i prirë nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresë Kurteshi – Emini ka vizituar kazermën e FSK-së në Gjilan, ku në emër të kryetarit të Komunës, ajo ka përgëzuar FSK-në për angazhimin e saj në përmbushje të misionit si ushtri e Kosovës.
Kurteshi Emini tha se sot në këtë ditë të shënuar, në këtë institucion të rëndësishëm kanë biseduar edhe për angazhimet që ka FSK-ja ka në kryerjen e detyrave të parapara, edhe në mbrojte të shtetit tonë.
Ajo ka falënderuar po ashtu edhe familjet e dëshmorëve që ishin bashkë me ta në vizitë këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit.
Kurteshi – Emini tha se sot po ashtu shënohet edhe 37-vjetori i rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, veprimtarë këta të çështjes kombëtare që dhanë kontribut meritor për çlirimin e vendit dhe për lirinë që po e gëzojmë sot.
Ajo shtoi se “Flaka e Janarit” është një manifestim që ka për qëllim t’i nderojë heronjtë, dëshmorët, veprimtarët tanë që nga koha e lavdishme e Skënderbeut e deri te historia më e re e Kosovës.
Kurteshi – Emini tha se do të ketë aktivitete të ngjeshura përgjatë periudhës sa zgjatë ky manifestim, i cili për shkak të pandemisë, do të zhvillohet në përputhje me rregullat e parapara, aq sa do të lejojnë kushtet për praninë qytetare, porse organizatori, në këtë rast DKRS-ja sigurisht se do të ofrojë edhe transmetime direkte të aktiviteteve.
Përndryshe, për sot janë paraparë edhe homazhet te Varrezat e Dëshmorëve si dhe ndezja e Flakadanëve te Shtatorja e Heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Teatri i Qytetit, Lapidari te Varrezat e Dëshmorëve – ceremonia kryesore (16:40).
Aktiviteti i radhës do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan e më pas, në ora 17:00, në Galerinë e Arteve, do të hapet Ekspozita Kolektive e Arteve Pamore, në kuadër të “Penelit të Flakës”.
“Flaka…” vazhdon me Akademinë Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, që do të mbahet më 21 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit.
Nga 23-27 janar mbahet Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” (16:30).
Ndërkohë që, më 25 janar, ora 13:00, në Bibliotekën e qytetit mbahet tryeza letrare: Opusi letrar i Beqir Musliut.
Më 28 janar mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e Teatrit të Qytetit.
Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, Në Teatrin e Qytetit zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare
“Pena e Flakës” (13:00h), ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar si dhe Festivali i këngës popullore “Fest Flaka” (17:30).
Përndryshe, sivjet ky manifestim që mbahen në Gjilan, e që i jep këtij qyteti identitetin e një kryeqendre kulturore mbarëkombëtare, do të zhvillohet në përputhje me rregullat e pandemisë, me numër të kufizuar të pjesëmarrësve. /2LONLINE.com/