/2L ONLINE/ – Po vazhdojnë protestat në Luginë për librin shqip, pasi autoritetet serbe po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara librat shqip të dedikuar për nxënësit shqiptarë, që ishin donacion nga Ministria e Arsimit të Kosovës.
Derisa ditë më parë u protestua në Preshevë, sot në Bujanoc studentët dhe nxënësit shqiptarë të Luginës kanë protestuar me motot: “Dua Abetaren time” dhe “Duam librin shqip”, duke kërkuar kështu që të kenë libra në gjuhën e tyre shqipe.
Në këtë marsh paqësor, protestuesit përçuan një porosi për qeverinë e Serbisë se fjalën e bukur shqipe nuk e ndalon dot asnjë pushtet i instaluar dhunshëm. Po ashtu u tha se po protestohet me kërkesën e arsyeshme, për t’u lejuar që, përmes përdorimit të lirë të gjuhës amtare, më të lashtës në Ballkan, të ruajnë identitetin kombëtar, duke i rikujtuar Ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit në Beograd, që këtë të drejtë nuk mundë të mohojnë.
Për më tepër shih fjalimin e plotë i mbajtur në protestës e sotme
Jemi mbledhur sot, këtu, për të ngritur zërin ndaj mohimit të së drejtës më elementare të njeriut – përdorimit të teksteve shkollore.
Sot, kemi lënë mësimin, shtëpitë, dhe kemi dalur për të protestuar që përçojmë një porosi për qeverinë e Serbisë se fjala e bukur shqipe ka histori të lashtë në këto treva dhe atë nuk e ndalon dot asnjë pushtet i instaluar dhunshëm.
Për ta bërë zërin e arsyes të kumbojë fort, kemi lënë punën e obligimet ditore që me këtë sinergji të unifikuar, njëzëri të shprehim pakënaqësinë tonë ndaj synimit djallëzor për indoktrinimin klasik të shkollarëve tanë me tekste, përmbajtja dhe artikulimi i të cilave është sa patetik e i pakuptimtë, aq edhe tendencioz.
Në këto momente, kur do të duhej të kishin filluar orët e para të mësimit, katër gjenerata të fëmijëve tanë nëpër shkollat fillore të Luginës së Preshevës, i kanë bankat e tyre të mësimit të zbrazëta, sepse librat e tyre, të shkruara me shqipen e rrjedhshme, të dhuruara nga Prishtina, me urdhër politik nga Beogradi, po mbahen peng nëpër pika doganore apo depo të pluhurosura.
Skenari i vitit 2013 në Shkollën ‘Zenel Hajdini’ në Fshatin Raincë, ku u konfiskuan nga policia më se 5000 ekzemplarë librash shkollorë, po metastazon në të gjitha trevat e dijes në Luginën e Preshevës që nga 1 shtatori i këtij viti.
Duke shfaqur nivel të lartë qytetarie, protestojmë sot të qetë, me kërkesën e arsyeshme, për të na lejuar që, përmes përdorimit të lirë të gjuhës sonë amtare, më të lashtës në Ballkan, të ruajmë identitetin tonë kombëtar.
Ia rikujtojmë Ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit në Beograd, që këtë të drejtë nuk mundë të na mohojë.
Mbështetja, të cilën po na ofron Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, përmes librave falas për fëmijët tanë, është sa solidaritet vëllazëror aq edhe reciprocitet i praktikës që po e aplikon Serbia ndaj pakicës serbe në Kosovë. Andaj, pse nuk u dashka lejuar Prishtina ti mbështesë qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës?!
Në fund, të nderuar student dhe nxënës, atyre që kanë librin shqip halë në sy, u themi që ne do t’u drejtohemi instancave ndërkombëtare për të realizuar liritë dhe të drejtat tona, sepse libri shqip ka qenë dhe mbetet i shenjtë për çdo shqiptar, pavarësisht kufijve politikë që e ndanë atë prej nesh këto 31 vitet e fundit. /2L ONLINE/